Kosova
Lista Serbe “ndërron lëkurë”, zgjedh kryetar të ri
Me votim të hapur në seancën e Kuvendit të saj të mbajtur sot në Mitrovicën e Veriut, ku u caktua dhe kryesia e re, Lista Serbe zgjodhi kryetarin e vet të ri.
Vendi i Goran Rakiç i kalon tani drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut, Zllatan Ellek.
Elleku ka qenë një nga figurat më aktive në tubimet e organizuara nga Lista Serbe, duke përfshirë edhe atë të 6 nëntorit 2022, një ditë pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri.
“Ne mbijetuam falë mbështetjes së lidershipit tonë, në radhë të parë presidentit Aleksandar Vuçiç”, u shpreh asokohe ai.
Së fundi ndërkohë, ka theksuar se për shkak të “terrorit të Albin Kurtit”, institucionet shëndetësore në zonat serbe në Kosovë po kërcënohen nga “katastrofa humanitare”. Ellek pretendon se autoritetet e Kosovës nuk lejojnë importin e ilaceve dhe materialeve mjekësore, gjë të cilën Ministria e Shëndetësisë e Kosovës e ka mohuar.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe ka mbështetjen e plotë të Beogradit. Ndryshimet në lidershipin e saj vijnë pas ngjarjeve në Banjskë, përgjegjësinë për të cilat e mori nënkryetari i atëhershëm i saj Milan Radoicic pesë ditë pas sulmit, kur edhe dha dorëheqjen nga ai pozicion, ndërsa po hetohet aktualisht si nga autoritetet kosovare, ashtu dhe ato serbe.