Rajon
Lista Serbe paralajmëron rezistencë nëse nuk lirohet serbi i arrestuar
Ditëve të fundit në veri të Mitrovicës, u është vënë zjarri disa veturave me targa RKS, ndërsa ka pasur disa sulme ndaj zyrtarëve policorë.
Në lidhje me këto ngjarje, ku policia ka arrestuar një shtetas me inicialet M.B i cili dyshohet edhe për sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës ku mbetën të plagosur dy policë, kanë reaguar zyrtarët e lartë shtetëror të Serbisë dhe udhëheqësit e Listës Serbe.
Ata kanë paralajmëruar rezistencë nëse personi i arrestuar nuk lirohet.
Deklarata e tyre ka nxitur reagimin e Presidencës së Kosovës, ku shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela tha se kreu i LS, Rakiç po kërcënon me kryengritje.
“Kreu i Listës Serbe, Rakiç përkrah Petkoviçit kërcënon me “rezistencë dhe kryengritje” në Kosovë. Megjithatë, asnjë fjalë dënimi nga Petkoviç për djegien e veturave të serbëve vendas! Serbia dhe Lista Serbe kërcënojnë me dhunë. Ata do të jenë përgjegjës për çdo përshkallëzim në terren”, ka shkruar Vela në një postim në Twitter.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha sot, se përmes arrestimit të serbëve në Kosovë, Qeveria e Kosovës dëshiron ta destabilizojë gjendjen dhe t’i shmangë detyrimet që ka ndërmarrë përmes marrëveshjes së Ohrit.