Aktualitet
Loja e dyfishtë e Mickoskit: Shqiptarët në “checkmate” politik

Mickoski nuk dëshiron të ketë një partner shqiptar të fortë e të unifikuar, sepse kjo do të kufizonte hapësirën e tij për manovrim dhe do ta detyronte të bëjë lëshime të vërteta. Në vend të kësaj, ai ndërton këtë konfiguracion politik shumë të qartë: një pozitë shqiptare me ndikim të kufizuar, e varur nga vullneti i tij për mbijetesë politike dhe një opozitë shqiptare që e mban “në frigorifer”, për ta përdorur si kërcënim rezervë, nëse pozita nuk bindet.
Shkruan: Liridona Beqiri
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ndodhen në një kryqëzim të errët politik, ku loja e pushtetit ka marrë përmasa që sfidojnë çdo logjikë përfaqësimi. Në një kohë kur vendi ka nevojë për udhëheqje vizionare, përfaqësuesit shqiptarë që s’kanë më as forcën për të luajtur rolin e statujës, janë transformuar në një gjysmë-hije politike që nuk arrin të artikulojë asnjë qëndrim dinjitoz për interesat e shqiptarëve.
Në një dalje televizive, me një deklaratë të drejtpërdrejtë dhe me tone të forta politike, kryeministri Mickoski, akuzoi partinë „Levica“ se me kandidaturat e saj në Tetovë, Gostivar dhe Strugë po i shërben në mënyrë indirekte BDI-së, duke krijuar, sipas tij, “disipacion të votës anti-BDI”. Ai e quajti këtë veprim si një përpjekje për t’i hedhur “gumë për shpëtim” Ali Ahmetit dhe partisë së tij, në një moment kur, sipas Mickoskit, ekziston një shans real për ta larguar përfundimisht BDI-në nga skena politike.
Kur Kryeministri deklaron publikisht se dëshiron që një parti e një komuniteti etnik të largohet përgjithmonë nga skena politike, ai nuk po flet vetëm për një garë zgjedhore. Ai po sinjalizon një vizion të vetin për të ardhmen e përfaqësimit politik të shqiptarëve në shtet. Edhe nëse Mickoski nuk e artikulon hapur, ky qëndrim nënkupton se ai synon një format të ri të politikës shqiptare, një format që i përshtatet më shumë interesave dhe ritmeve të partisë së tij. Pra, jo thjesht zëvendësim i BDI-së, por formësim i një opozite shqiptare më të kontrollueshme dhe më të përshtatshme për VMRO-DPMNE-në. Këto deklarata të Kryeministrit zbulojnë një strategji të rrezikshme, por tepër të kalkuluar, ta mbajë pozitën dhe opozitën shqiptare në një ekuilibër të kontrolluar, ku asnjëra nuk mund të veprojë pa u kushtëzuar, dhe ku vendimmarrja shqiptare shndërrohet në monedhë kushtesh, jo në partneritet të barabartë. Ai ka kuptuar se fuqia reale shqiptare nuk qëndron vetëm në partitë e tyre individuale, por në unitetin dhe aftësinë për të kërkuar ndikim të pavarur dhe përfaqësim të denjë. Prandaj, Mickoski zgjedh ta ndajë spektrin shqiptar në dy blloqe të dobëta, që të mbajnë njëri-tjetrin nën kontroll dhe në shërbim të agjendave të tij.
Ky padyshim është një pozicion që i jep atij fuqi absolute në negociatat politike, jo vetëm me partitë maqedonase, por sidomos me bllokun shqiptar, të cilin e sheh si shtesë për pushtet, jo si faktor për shtet.
Mickoski nuk dëshiron të ketë një partner shqiptar të fortë e të unifikuar, sepse kjo do të kufizonte hapësirën e tij për manovrim dhe do ta detyronte të bëjë lëshime të vërteta. Në vend të kësaj, ai ndërton këtë konfiguracion politik shumë të qartë: një pozitë shqiptare me ndikim të kufizuar, e varur nga vullneti i tij për mbijetesë politike dhe një opozitë shqiptare që e mban “në frigorifer”, për ta përdorur si kërcënim rezervë, nëse pozita nuk bindet. Kështu, Mickoski luan shah me dy figura shqiptare që e neutralizojnë njëra-tjetrën.
Mirëpo, duke qenë dëshmitarë të lojrave të shumta politike dhe fërkimeve brenda llojit, deklarata ka dy objektiva të qarta: Diskreditim total i BDI-së – duke e portretizuar atë si një parti që duhet të largohet përgjithmonë, Mickoski shkon përtej kundërshtisë politike. Ai nuk e sheh BDI-në si rival, por si element të dëmshëm. Me këtë ai synon të marrë dritë jeshile edhe nga një pjesë e komunitetit shqiptar, veçanërisht nga ata që janë të zhgënjyer nga BDI për ta bërë të duket se edhe VMRO ka të drejtë kur e lufton këtë subjekt.
Forcim i pozitës së VLEN-it si “partner i dëgjueshëm” – nëse BDI largohet, dikush duhet ta zëvendësojë. Dhe në skenarin e Mickoskit, VLEN është partneri i preferuar, më i butë, më i kontrollueshëm, dhe më pak i zëshëm në tema të nxehta. Kështu, përmes sulmit ndaj BDI-së, ai i jep një shtysë të heshtur VLEN-it, për ta rritur si “alternativa e pastër që nuk pengon qeverinë”.
Për elektoratin maqedonas, ky është një mobilizim i ndjenjës nacionaliste, i cili flet për “pastrim politik” nga partitë që përceptohen si jo-lojaliste, si pengesa për reformat apo si bashkëfajtorë të regjimeve të mëparshme. Për shqiptarët që nuk e duan më BDI-në, kjo deklaratë, nëse zbërthehet me kujdes, rezonon me të pakënaqurit shqiptarë, sepse Mickoski luan me ndjeshmërinë dhe është në tentativë për ta marrë besimin shqiptar, jo përmes përfaqësuesve të fortë, por përmes përçarjes së tyre.
Për ndërkombëtarët, me këtë narrativë, Mickoski paraqitet si lider që guxon të flasë për pastrim të sistemit, për mbylljen e kapitujve të vjetër, për stabilitet të ri. Në këtë mënyrë, e shet largimin e BDI-së jo si veprim etnik, por si “detoks politik”.
Po ky lloj sulmi i Mickoskit, nga ana tjetër, i jep oksigjen BDI-së në rolin e rikthimit të viktimës së preferuar. Deklarata e tij se “qëllimi i këtyre zgjedhjeve është të fitojë BDI për t’u larguar përgjithmonë nga skena politike”, përveçse provokuese, është një aset dhe dhënie e çmuar për vetë BDI-në. Jo sepse ajo përmban ndonjë të vërtetë të thellë politike, por sepse i rikthen kësaj partie narrativën më të fuqishme që ka pasur ndonjëherë, atë të rolit të të përndjekurit për shkak të identitetit të saj politik shqiptar.
Në skenat që partitë politike kanë luajtur më mirë ndër vite, viktimizimi ka qenë gjithmonë arma më e fortë për mobilizimin e elektoratit. Dhe tani, me një fjali, Mickoski e ndihmon BDI-në të rizgjohet nga agonia e brendshme, nga përçarjet, nga lodhja elektorale dhe nga rënia e besimit, në drejtim të mobilizimit të votuesve të saj tradicionalë, të cilët ndoshta kanë qenë të ftohur, të larguar apo të pavendosur.
Kur një lider maqedonas deklaron publikisht që dëshiron largimin e BDI-së “përgjithmonë”, shumë shqiptarë e përkthejnë këtë si rrezik për humbjen e përfaqësimit të fuqishëm, për rënien e ndikimit politik, për zëvendësimin me struktura më të kontrollueshme.
Edhe për faktorin ndërkombëtar, retorikat për “largim të përhershëm” të një partie politike etnike janë të rrezikshme. Nuk shihet mirë përjashtimi i BDI-së me metoda politike nga një partner qeveritar i komunitetit shumicë. Kjo krijon panik institucional, përceptim për rrezik destabilizimi, dhe hap derën për tensione ndëretnike që askush nuk i do në një vend që aspiron BE-në. Në këtë klimë, BDI mund të shfaqet sërish si “zgjidhja më e qëndrueshme”, si garancia e një lloj balanci, dhe si subjekti që nuk mund të injorohet, edhe kur nuk është i preferuar. Edhe pse realiteti i kësaj partie shihet si një një bllok politik i ndarë, i plakur në ide, por rinor në pabesi, krijuar nga aktorë të shumtë “veteran partiak”. Megjithëse shumë e vonuar, një reformë e thellë urgjente nuk është vetëm domosdoshmëri, është çelësi i mbijetesës së BDI-së. Dhe, kjo reformë duhet të nisë me largimin e paevitueshëm të kësaj garde të vjetër politike, që ka lodhur dhe ka degraduar, që përfaqëson antivlerat e një politike të stërzgjatur, të ngurtësuar dhe pa vizion. Vetëm në këtë mënyrë BDI do të mund të rigjejë rrugën e saj dhe besimin e shqiptarëve, duke u kthyer në forcën që dikur ishte, një motor ndryshimi, jo një barrë që ngarkohet çdo ditë më shumë nga trashëgimia e së shkuarës.
Megjithatë, në përpjekje për të shënuar një “gol” të shpejtë politik, Mickoski ndoshta nuk llogariti se ka futur në lojë armën më të fuqishme të BDI-së, ndjeshmërinë kombëtare shqiptare.
Ne fakt, ajo që po bën Mickoski është një zhvendosje e rafinuar e peshoreve të ndikimit brenda spektrit shqiptar, me qëllim që asnjëra nga palët (as pozita, as opozita shqiptare) të mos ketë fuqi të pavarur, por të jenë të barazpeshuara në dobësi, dhe të varura nga vullneti i tij politik.
Kjo strategji është shembulli më i qartë i asaj që ndodh kur uniteti politik shqiptar shndërrohet në garë të brendshme për mbijetesë. Kur partitë shqiptare luftojnë njëra-tjetrën për privilegje, e jo për përfaqësim real, krijojnë hapësirën ideale për një lider maqedonas që t’ju vendos kushte, t’ju zgjat karrem, t’ju ofron karrige të ngrohta, dhe në fund… t’ju merr çdo ndikim!
Loja e Mickoskit është e qartë, por a e kuptojnë shqiptarët?

