Connect with us

Shkrime

LUFTA E UKRAINËS / Tani edhe Kina futet në lojë

Kina mund të dërgojë forca paqeruajtëse në Ukrainë. Kjo ide nuk ka lindur dje dhe nuk është drejtpërdrejt e lidhur me “koalicionin e të gatshmëve” të nisur nga Emmanuel Macron. Sipas burimeve diplomatike evropiane të cituara nga Welt am Sonntag, Pekini po shqyrton mundësinë e pjesëmarrjes në këtë nismë. Një çështje “delikate” për Evropën, e vetëdijshme megjithatë se përfshirja kineze “mund të rrisë gjasat që Moska të pranojë praninë e trupave në Ukrainë”.

Interesi i Xi Jinping për të dërguar forca paqeruajtëse është shprehur qartë nga Zhou Bo, ish-oficer i ushtrisë kineze dhe figurë me ndikim në fushën e mbrojtjes: “Kina do të veprojë nëse dhe kur do t’i kërkohet të marrë pjesë,” shpjegon Zhou për La Stampa, duke shtuar: “Vështirë që Rusia të pranonte forca paqeruajtëse nga vende të NATO-s. Kina mund të marrë iniciativën dhe t’i bashkohen vende nga Jugu Global.”

Kujdes, pra, se nuk duhet që përfshirja e mundshme e Kinës të ngatërrohet me një mbështetje të drejtpërdrejtë për “koalicionin e të gatshmëve”. Lideri i Pekinit nuk do të marrë pjesë në samitin e së enjtes në Paris, ku do të jetë kryeministrja italiane Giorgia Meloni. E pamundur për Xi-n të mbështesë kërkesën e Macron-it për një “angazhim të qartë dhe të përsëritur në mbështetje të Ukrainës”. Gatishmëria e tij për të dërguar forca paqeruajtëse ndjek një logjikë paralele me atë evropiane dhe aspak nuk synon të largohet nga Moska – përkundrazi, synon t’i japë siguri asaj.

Kina, ndër të tjera, ka investuar shumë në fushën e paqeruajtjes, duke u angazhuar për krijimin e një force paqeje me tetë mijë anëtarë dhe duke marrë pjesë deri më sot në 29 misione. Pjesëmarrja në një mision në Ukrainë do të përfaqësonte një shfaqje imazhi si fuqi e përgjegjshme dhe do t’i garantonte gjithashtu një rol kryesor në fazën e rindërtimit pas luftës në Ukrainë – për të cilën Pekini ka treguar tashmë interes. Për Pekinin, përparësia ka qenë gjithmonë stabiliteti i brendshëm i Rusisë, ku Vladimir Putin shihet si garant i marrëdhënieve pozitive me fqinjësinë gjigante. E gjitha kjo pa prishur marrëdhëniet me Evropën. Një bast i ndërlikuar, por që me kalimin e kohës – dhe me rikthimin e Donald Trumpit – Xi mendon se mund ta fitojë.

“Unilateralizmi amerikan është ngjitësi më i mirë për një ribashkim Kinë–Evropë,” thotë Zhou. Dhe Pekini mendon se mund të përfitojë nga kjo situatë, përmes operacioneve strategjike që synojnë të rrisin soft power-in e vet. Ndërsa Evropa ka frikë se Shtëpia e Bardhë mund ta braktisë Kievin, fuqia aziatike shfaqet e gatshme të mbrojë interesat e të dy palëve në konflikt.

Ndërkohë që Trumpi tremb botën me një sërë tarifash doganore, Pekini paraqitet si kampion i tregtisë së lirë.

Edhe në planin tregtar është duke ndodhur një charm offensive kineze. Duke filluar nga nesër, në Pekin do të mblidhen dhjetëra drejtues të mëdhenj të kompanive perëndimore, me rastin e Forumit për Zhvillimin e Kinës (China Development Forum). Në listën fillestare të pjesëmarrësve bien në sy emra nga elita ekonomike botërore, përfshirë drejtorët ekzekutivë të Blackstone, Pfizer, Qualcomm, Aramco, Standard Chartered, TotalEnergies dhe A.P. Moller – Maersk. Sipas Financial Times, shumë prej tyre janë ftuar në një takim me Xi-n, i cili në të kaluarën ka pritur ndër të tjerë Bill Gates nga Microsoft dhe Pat Gelsinger nga Intel.

Qëllimi është të stabilizohen flukset e investimeve të huaja dhe të sigurohet mbështetja e drejtuesve të mëdhenj kundër tarifave, si simbol i kërkimit të shkëmbimeve “njerëz me njerëz”. Si të thuash: nëse diçka nuk shkon në marrëdhënien midis Perëndimit dhe Kinës, fajin e ka vetëm Shtëpia e Bardhë.

Ndoshta edhe për këtë arsye, Xi nuk duket se ka ndonjë ngut për t’u takuar me Trumpin, ndonëse presidenti amerikan ka njoftuar ditët e fundit se “lideri kinez do të vizitojë së shpejti Shtetet e Bashkuara”. Që në shkurt, pas raundit të parë të tarifave për produktet kineze, Trumpi e kishte quajtur “të afërt” një telefonatë që nuk ndodhi kurrë. Xi deri më tani ka shmangur të përshpejtojë gjërat, për të mos dhënë shenja dobësie.

Në vitin 2017, Xi udhëtoi drejt Mar-a-Lago-s që në prill, më pak se 100 ditë pas nisjes së mandatit të parë të Trump. Këtë herë, ai është i bindur se pritja më e gjatë mund të sjellë më shumë përfitime.

Dje, në një takim trilateral me rëndësi të madhe me homologët e tij nga Japonia dhe Koreja e Jugut, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi deklaroi gatishmërinë për të hequr një sërë kufizimesh mbi importet nga Tokio dhe Seuli. Në këmbim, Kina shpreson që këta dy fqinjë – aleatë kryesorë të Uashingtonit në rajon – të jenë më pak të gatshëm për t’u “rekrutuar” nga SHBA. Një skemë që mund të aplikohet edhe me Evropën.

Sot niset drejt Pekinit kryetari i Senatit italian, Ignazio La Russa. Në javët në vijim do të bëjnë të njëjtën gjë, ndër të tjerë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez dhe presidenti francez Emmanuel Macron. / bota.al

LUFTA PA PAQE NE UKRAINE DHE SHARMI I RREZIKSHEM KINEZ/ TANI DHE TE VERDHET FUTEN NE LOJE

Advertisement