Bota
Lufta në Ukrainë – Frikë nga raketat hipersonike ruse
Autoritetet ukrainase kanë lejuar disa gazetarë të takohen me një grup ushtarësh rusë të zënë rob në fushën e betejës dhe prej tyre kanë zbardhur historinë e një lufte të humbur dhe konfirmimin se në këtë pikë, gjëja më e rëndësishme për ata do të ishte të mund të ktheheshim në shtëpi.
“Propaganda në televizion thoshte se qeveria ukrainase ishte në duart e nazistëve. Por zbulova se nuk ishte kështu…”, thotë njëri prej tyre, i cili shpreson për një shkëmbim me të burgosur të tjerë ukrainas.
Një oficer në ushtrinë ruse është më pak i gatshëm të bëjë vetëkritikë. “Unë jam një oficer rus. Unë kam shërbyer gjithmonë në ushtri, këtë kam dashur që në fëmijëri. Nuk pendohem për asgjë.”
Nga ana tjetër Rusia pretendon se një sulm me raketë i kryer prej saj, ndërpreu “transportin e armëve dhe municioneve” të NATO-s kurse Ukraina thotë se ka rrëzuar dhjetëra raketa, por ka frikë nga raketat hipersonike Kinzhal dhe u kërkon aleatëve të dërgojnë Bateritë Patriot.
Në Stokholm, Ministri suedez i Drejtësisë dhe Komisioneri Evropian për Drejtësi folën për krimet e luftës që i atribuohen Rusisë. Sipas një përllogaritjeje që ata paraqitën, ka pasur 65,000 episode të krimeve të supozuara ndërkombëtare, numri më i lartë ndonjëherë i verifikuar.