Bota
Lufta/ SHBA e konfirmon: Bombat thërrmuese u dërguan në Kiev
Bombat thërrmuese kanë mbërritur në Kiev, si pjesë e paketës së ndihmës së SHBA për luftën. Lajmi u komunikua nga gjenerali Douglas Sims në një konferencë për shtyp. “Ka municione thërrmuese në Ukrainë tani,” tha ai. Po ashtu edhe ushtria e Kievit ka konfirmuar se tashmë kanë në dispozicion bombat thërrmuese. Bombat thërrmuese janë të ndaluara në më shumë se 100 vende, por Ukraina është zotuar t’i përdorë ato vetëm për të shpërndarë ushtarët rusë.
ÇFARË JANË BOMBAT THËRRMUESE?
Bombat thërrmuese përbajnë një numër të konsiderueshëm ‘bombash më të vogla’ që përhapen në një zonë të gjerë. Këto bomba të vogla janë projektuar për të goditur disa objektiva njëherësh, për të shkatërruar tanke, pajisje, apo për të goditur njësi. Në konfliktet e mëparshme, është shënuar një numër i lartë rastes i mos shpërthimit të bombave, që do të thotë se mijëra bomba të vogla, të pashpërthyera, mbetën në terren, duke shkaktuar vdekjen apo gjymtimin e njerëzve dekada të tëra pas konflikteve.
Shtetet e Bashkuara kanë përdorur bombat thërrmuese në luftën në Irak, në vitin 2003 dhe vendosën të ndërprisnin përdorimin e tyre pas zhvendosjes së konfliktit në zona më urbane me densitet më të lartë të popullsisë civile. Municionet thërrmuese janë të ndaluara nga më shumë se 100 vende. Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë nënshkruar Konventën mbi Municionet Thërrmuese , e cila ndalon prodhimin, grumbullimin, përdorimin dhe transferimin e armëve.