Bota
Lufta Ukrainë-Rusi, Zelensky njofton kontrollin e plotë të qytetit Sudzha! Lukashenko kërcënon
Ukraina depërton edhe më shumë në tokën ruse, duke ‘pushtuar’ territore të reja. Presidenti Volodimyr Zelensky njoftoi se trupat morën nën kontroll edhe qytetin rus të Sudzha.
Administrata ushtarake e Kievit thotë se mbrojtja ajrore e kryeqytetit ukrainas ka zmbrapsur me sukses edhe një sulm me dron nga rajoni Kusk i Rusisë.
Në një postim në Telegram, të cituar nga mediat e Kievit, autoritetet ukrainase saktësojnë se nuk janë raportuar dëme apo viktima pas sulmit rus në kryeqytet, shkruan “La Repubblica”.
Zelensky njofton kontrollin e plotë ukrainas të qytetit Sudzha
Sudzha është qyteti më i madh rus që ka rënë në duart e forcave ukrainase, që nga fillimi i inkursionit të tyre ndërkufitar, më shumë se një javë më parë. Presidenti ukrainas Zelensky thotë se ushtria ukrainase po krijon një zyrë komandimi ushtarake në qytet, gjë që sugjeron se Ukraina mund të planifikojë të qëndrojë në rajonin e Kurskut për një kohë të gjatë, ose thjesht t’i sinjalizojë Moskës se mund të planifikojë ta bëjë këtë. Ukraina pretendon gjithashtu se ka marrë nën kontroll dhe pushtuar 82 qytete të rajonit Kursk.
Lukashenko: Ne jemi gati për luftë, nëse kalohet kufiri…
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, reagoi teksa i kërkoi edhe një herë Ukrainës dhe Rusisë që të ulen në tryezën e bisedimeve dhe t’i japin fund luftës, por edhe kërcënoi përdorimin e armëve taktike bërthamore nëse kufijtë e Bjellorusisë shkelen nga armiku.
Në një intervistë për transmetuesin shtetëror rus “Vgtrk”, Lukashenko thotë se vetëm Perëndimit “i duhet” ky konflikt.
“Ne nuk duam një përshkallëzim dhe një luftë kundër të gjithë NATO-s, por nëse bëhet fjalë për këtë nuk do të kemi zgjidhje tjetër: sapo dikush të kalojë kufirin shtetëror, përgjigja do të jetë e menjëhershme”, tha presidenti bjellorus.
Dhe më tej sqaroi:
“Ne nuk do të përdorim asnjë armë derisa ata të shkelin në territorin tonë”.
Sipas aleatit të ngushtë të Presidentit Vladimir Putin, “përfaqësuesit e lartë” të udhëheqjes amerikane duan “të lënë ukrainasit dhe rusët të shkatërrojnë njëri-tjetrin”.
Media, shpërthime në Kiev
Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se në mbrëmjen e djeshme (15 Gusht), se janë raportuar shpërthime në kryeqytetin Kiev, pas ndërhyrjes së forcave të mbrojtjes ajrore në një dron sulmues. Shpërthime u dëgjuan edhe në rajonin Sumy. Kështu shkruan “Ukrainska Pravda”. Por ende nuk ka raportime për viktima dhe të lënduar.