Aktualitet
Luftar Reçi 6 orë përplasje në SPAK me avokatët e Berishës e Dervishajt
Luftar Reçi ka dëshmuar sërish në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Bashkëpunëtori i SPAK, ka dalë për të dytën herë para 6 të pandehurve, që akuzohen për vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lamaj dhe Artan Arsit në vitin 2005. Në seancën e sotme Luftar Reçi i është përgjigjur pyetjeve të avokatëve të të pandehurve Lulzim Berisha, Indrit Rusi dhe Plaurent Dervishaj.
Për më shumë se 6 orë, avokatët e kanë pyetur Reçin për dinamikën e krimit të ndodhur në Tiranë dhe Durrës, ku mbetën të vrarë tre persona. Sipas raportimit, Reçi në pjesën më të madhe të rrëfimit të tij, i ka qëndruar besnik dëshmisë së parë të dhënë në gjykatë, duke këmbëngulur se asgjë nuk ka treguar të pavërtetë. Ndërkohë në dëshminë e dytë, Luftar Reçi, ka nxjerrë dhe emra të tjerë si persona që ai ka biseduar për ngjarje kriminale.
Disa nga këta persona, ai ka treguar se ndodhet brenda në burg, ndërsa disa të tjerë vijojnë të qëndrojnë të jenë jashtë. Po ashtu, gjatë seancës Reçi u përplas ashpër me dy avokatët e Plaurent Dervishaj dhe Lulzim Berishës, kur ata i kujtuan intervistën e tij. Sipas tyre, Luftar Reçi ndryshe ka deklaruar në këtë intervistë dhe ndryshe ka dëshmuar pranë prokurorisë së posaçme SPAK, ndërsa i penduari është mbrojtur duke u shprehur se intervista që ka dhënë nuk është transmetuar kurrë.
“Njerëz të afërm të personave të pandehur, kanë korruptuar njerëz të medias, të cilët kanë ndaluar publikimin e intervistës dhe shitur materialin palëve në këtë proces gjyqësor,”-ka shtuar ai.
Për shkak të debateve të shumta, dhe kohëzgjatjes së seancës, gjyqi ndaj të pandehurve është shtyrë për javën e ardhme, duke vijuar sërish me pyetjen e Luftar Reçit. Por kësaj here do të merret në pyetje nga avokatët e Indrit Taullaut. Më pas, do të jenë vetë të dënuarit Emiljano Shullasi dhe Viktor Imeri.
Më 8 dhjetor 2020, Prokuroria e Posaçme SPAK përmes operacionit policor “Asgjë nuk harrohet”, arrestoi Indrit Taullaun,Indrit Rusin, Emiljano Shullazin, Viktor Ymerin dhe Luftar Reçin. Ndërsa shpalli në kërkim Plaurent Dervishaj dhe Lulzim Berishën, si autorët e dyshuar të vrasjes së Klodian Saliut. Por të dy janë ende në kërkim. Dervishaj ndodhet në Dubai, vend me të cilin Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi.