Connect with us

Shkrime

Luftë e re në Kosovë në vitin 2023

Rusisë i duhet urgjentisht një “kartë ballkanike”

Nga Janusz Bugajski

Viti 2023 do të jetë një provë me rrezikshmëri për Ballkanin Perëndimor, pasi Beogradi dhe Moska po i fryjnë sërish thëngjinjve të luftës. Qeveritë perëndimore janë përballë një zgjedhjeje të vështirë: të lejojnë politikanët ambiciozë serbë dhe padronët e tyre në Kremlin të çojnë rajonin drejt një tjetër konflikti të armatosur apo t’i privojnë ata nga mjetet që shkaktojnë gjakderdhje.

Shkëndijat e luftës janë më të dukshme në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, tre objektivat e ndërtimit të mini-perandorisë serbe. Metodat e destabilizimit mund të mos jenë të njëjtat në raste të ndryshme, por objektivi është i qartësisht një: vendosja e hegjemonisë rajonale të Beogradit dhe zgjerimi i kufijve të Serbisë.

Qasja graduale (e mëparshme), muajt e fundit, është përshpejtuar, për shkak të vendimit të Moskës për të nxitur luftë në Ballkan, në mënyrë që të krijojë probleme për NATO-n, në një kohë kur Rusia vazhdon të humbasë terren në Ukrainë.

Për Kremlinin, destabilizimi i Ballkanit është një ndërmarrje me kosto të ulët. Moska i jep Beogradit dhe Banja Lukës mbështetje diplomatike, financiare, propagandistike e dezinformuese si dhe armatime, provokatorë e banda të armatosura.

Metodat e Rusisë për destabilizimin dhe nënshtrimin e fqinjëve janë shembuj të vlefshëm edhe për Serbinë, që ndjek po të njëjtat strategji.

Së pari, strategjia e përçarjes duket qartazi në përpjekjet për mobilizimin e pakicën serbe në Kosovë, për të ngjallur frikë dhe për të shkaktuar armiqësi ndëretnike. Ngritja e barrikadave, sulmet ndaj gazetarëve, rekrutimi i detyruar i serbëve vendas dhe shkatërrimi i pronës janë pjesë e kësaj metodologjie.

Proceset përçarëse janë të evidentueshme edhe në Mal të Zi, përmes Kishës Ortodokse Serbe, forcave speciale dhe radikalëve nacionalistë që sfidojnë pavarësinë e Podgoricës.

Në Bosnje-Hercegovinë, mjeti kyç i përçarjes është entiteti serb. Me premtime për përfitime territoriale, Beogradi ka përfshirë në këtë edhe nacionalistët kroatë.

Së dyti, në mënyrë që të kenë ndikim mbi zyrtarët perëndimorë, Vuçiç dhe Milorad Dodik, janë angazhuar në një strategji përshkallëzimi. Duke kërcënuar me ndërhyrje të armatosur ose shkëputje politike, ata kërkojnë lëshime nga BE-ja dhe SHBA-ja dhe më pas gjenerojnë cikle të mëtejshme destabilizimi.

Strategjia e tretë serbe e sundimit është hartuar në mënyrë të tillë që të marrë pak nga pak nën ombrellën e Beogradit shtetet fqinje, qoftë me varësi ekonomike përmes projektit të Ballkanit të Hapur, qoftë me varësi politike përmes pakësimit të sovranitetit (të tyre), ose përmes përvetësimit të drejtpërdrejt territorial.

Në arenën ushtarake, mënyra më efektive për parandalimin e destabilizimit të Kosovës është që NATO të tregojë fuqinë e vet, çfarë do i mundësonte Prishtinës të zbatojë ligjin dhe të vendosë rendin në mbarë vendin. Përveç kësaj, si Kosova ashtu edhe Bosnja kanë nevojë për një rrugë drejt anëtarësimit në NATO.

Në sferën ekonomike dhe institucionale, BE-ja duhet të deklarojë se do të ndërpresë të gjitha rrjedhat e të ardhurave dhe perspektivat e anëtarësimit të Beogradit, nëse Vuçiç vijon të ndjekë (agjendën e) përçarjes, përshkallëzimit dhe sundimit rajonal.

Një pikënisje e mirë do të ishte që NATO të kërkonte që vendndodhja e inteligjencës ruse në Nish, të mbyllet ose Beogradi do të përballet me ndërprerjen e çdo kontakti të dobishëm ushtarak, pasi me mundësimin e depërtimit të Rusisë në rajon, Vuçiç po bashkëpunon në luftën kundër Ukrainës, duke i dhuruar Moskës “një kartë ballkanike” në luftën e saj me Perëndimin.

Advertisement