Gjatë verës 2025, forcat shtetërore janë përballur me një numër të madh zjarresh në të gjithë vendin.
Si vlerësim për kontributin e tyre, qeveria shqiptare ka vendosur shpërblime financiare për të gjithë personelin e angazhuar. Punonjësit do të përfitojnë nga 1 deri në 3 paga mujore, në varësi të ditëve të shërbimit.
Vendimi përfshin Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, Mbrojtjen Civile dhe zjarrfikësit vendorë.
VENDIMI I QEVERISË SHQIPTARE:
DHËNIE SHPËRBLIMI PERSONELIT TË ANGAZHUAR NË OPERACIONET PËR SHUARJEN E ZJARREVE GJATË VITIT 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Dhënie shpërblimi personelit, punonjës shtetërorë, të angazhuar në shuarjen e zjarreve gjatë verës së vitit 2025.
- Shpërblehen punonjësit e:
- a) Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë;
- b) Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile;
- c) Policisë së Shtetit;
ç) Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin;
- d) Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin në bashki.
- Punonjësit e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, përfitojnë shpërblim, sipas kohëzgjatjes së angazhimit, si më poshtë vijon:
- a) Për angazhim me kohëzgjatje, nga 1 (një) deri në 7 (shtatë) ditë, jepet shpërblim në masën e 1 (një) page mujore;
- b) Për angazhim me kohëzgjatje, nga 8 (tetë) deri në 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, jepet shpërblim në masën e 2 (dy) pagave mujore;
- c) Për angazhim me kohëzgjatje 16 (gjashtëmbëdhjetë) ditë e më shumë jepet shpërblim në masën e 3 (tri) pagave mujore.
- Shpërblimi llogaritet mbi bazën e pagës mujore bruto të punonjësit të angazhuar në operacionet e shuarjes së zjarreve.
- Efekti financiar për strukturat e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 2, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2025.
- Në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, në shpenzimet korrente, shtohet fondi prej 193 140 098 (njëqind e nëntëdhjetë e tre milionë e njëqind e dyzet mijë e nëntëdhjetë e tetë) lekësh, përkatësisht 145 809 950 (njëqind e dyzet e pesë milionë e tetëqind e nëntë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) lekë në programin buxhetor “Forcat e luftimit”, 43 408 127 (dyzet e tre milionë e katërqind e tetë mijë e njëqind e njëzet e shtatë) lekë në programin buxhetor “Mbështetja e luftimit” dhe 3 922 021 (tre milionë e nëntëqind e njëzet e dy mijë e njëzet e një) lekë në programin buxhetor “Emergjencat civile”.
- Në buxhetin e Ministrisë së Brendshme, në shpenzimet korrente, shtohet fondi prej 69 615 100 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e gjashtëqind e pesëmbëdhjetë mijë e njëqind) lekësh në programin buxhetor “Policia e Shtetit”.
- Efekti financiar për strukturën e përcaktuar në shkronjën “ç”, të pikës 2, të këtij vendimi, përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2025 për Ministrinë e Brendshme.
- Efekti financiar për strukturat e përcaktuara në shkronjën “d”, të pikës 2, të këtij vendimi, përballohet nga buxhetet përkatëse të njësive të vetëqeverisjes vendore.
- Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y EMINISTRI