Kosova
LVV e Kurtit sulmon këdo që nuk është ‘yni’
Pas dy viteve në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje duket se është në opozitë, dhe si për ta vërtetuar këtë, ka publikuar një video ku, permes një kolazhi, ka anatemuar figurat kryesore të politikës në Kosovë që kanë qenë në pushtet në këto vite pavarësie si dhe ata që sot janë duke u gjykuar në Hagë për krime lufte.
Një sërë figurash, duke nisur nga ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, nga Vetëvendosja janë etiketuar në video si shkatërrues të shtetit. Rastësi apo e qëllimshme? Pikëpyetje e varur, po të kemi parasysh se ata u vizituan para pak ditësh në qelitë e paraburgimit nga dy ish presidentë shqiptarë dhe ish ministra e deputetë shqiptarë e kosovarë.
Mes figurave që janë ekspozuar përballë akuzave në këtë video, janë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi si dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dy personazhe të rinj që ndonëse pjesë e qeverive të kaluara, ata nuk kanë përcaktuar politika madhore ekzekutive.
Kjo makinë propaganda është parë me shqetësim nga shumë qytetarë dhe aktorë të jetës publike, duke qenë se LVV tashmë është në qeveri dhe shumicë, me numra të nevojshëm në Kuvendin e Kosovës, për të realizuar synimet dhe premtimet e saj elektorale.
Ndërkohë, edhe pas dy vitesh në pushtet, Vetëvendosja ka zgjedhur që të flas për qeveritë e kaluara,që sipas saj, kanë bërë dëme tragjike.
“Të ndarë në parti të ndryshme, ata kanë patur një qëllim: Të shkatërronin shtetit permes tenderave, ryshfetit, haraçit, krimit dhe korupsionit” – thuhet në postimin e LVV, përcjellë me video në të cilën nuk mungojnë ish-kryeministri Isa Mustafa, që është tërhequr nga skena politike, ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ish-kryediplomati Behgjet Pacolli.