Connect with us

Politike

‘Ma kërkoi si favor’/ Gentian Sula deklaron: Kontrata për 220 mijë euro me Ajola Xoxën ishte fiktive

Një nga biznesmenët e lidhur me dosjen “Veliaj”, Gentian Sula pronar i kompanisë së tregtimit të energjisë NOA dhe asaj të siguracioneve Intersig, ka ndryshuar dëshminë lidhur me dosjen në hetim Veliaj-Xoxa. Teksa është pyetur herën e dytë nga prokurorët e SPAK, ai sqaruar se më datë 09.01.2025 kishte dhënë shpjegime lidhur me një marrëdhënie shitblerjeje me shtetasen Ajola Xoxa.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se Sula ka deklaruar se ka qenë i tronditur dhe i paqartë për rrethanat dhe përgjegjësinë e tij gjatë pyetjes herën e parë. Ai ka theksuar se nuk kishte dashur të jepte të dhëna të rreme, por i ndodhur në kushtet që nuk kuptonte seriozitetin dhe rëndësinë e deklarimit të tij, kishte improvizuar në thëniet e tij.

Pas asaj periudhe, ai ka reflektuar dhe ka konkluduar se nuk ka asgjë për të fshehur karshi Prokurorisë dhe dëshiron të bashkëpunojë duke thënë të vërtetën, duke theksuar se zhvillon një biznes të ndershëm, është tatimpagues dhe familjar i rregullt dhe nuk ka lidhje me asnjë veprimtari të jashtëligjshme, si dhe nuk dëshiron në asnjë mënyrë që emri apo biznesi i tij të njolloset në çfarëdolloj rrethane.

I pyetur lidhur me shumën monetare të gjetur më 06.12.2024 gjatë kontrollit në ambientet e shoqërisë “Partners Law” sh.p.k., për të cilën ishte depozituar një kontratë kapari e datës 04.12.2024 në vlerën 220.000 euro lidhur ndërmjet tij dhe shtetases Ajola Xoxa për blerjen e një pasurie në rrugën Brigada VIII, ai ka sqaruar se nuk është e vërtetë që ka porositur apo paguar cash shumën e sekuestruar në kasafortë dhe se rrethanat e përshkruara në kontratën e kaparit nuk janë të vërteta.

 

 

Ai ka theksuar se hartimin dhe nënshkrimin e kontratës ia kishte kërkuar si favor Ajola Xoxa dhe kishte pranuar, pasi nuk kishte asnjë ide që kjo kontratë do të paraqitej në Gjykatë apo në Prokurorinë e Posaçme.

Për shkak të lëvizjeve të shpeshta jashtë shtetit, ai ka qenë në padijeni të plotë për problemet ligjore që kishte Ajola Xoxa dhe nuk i kishte kushtuar rëndësinë e duhur kërkesës së saj, duke shtuar se për shkak të njohjes që kishte me të, kishte nënshkruar kontratën që nuk ishte përpiluar prej tij dhe pa u informuar për arsyet pse i duhej Ajolës.

Advertisement