Kosova
“Futen në lojë” për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë
Macron dhe Scholz “futen në lojë” për dialogun Kosovë-Serbi
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz kanë ngarkuar këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe siguri, për t’i ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë përfaqësuesit special të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak
Sipas tyre, normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor për Ballkanin Perëndimor. Macron dhe Scholz thanë në një letër të përbashkët drejtuar Aleksandër Vuçiç, se në dritën e agresionit rus ndaj Ukrainës, duhet të bëhen përpjekje më të forta që perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet.
Macron dhe Scholz i kanë bërë thirrje presidentit serb që të tregoj vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do çojnë në përparim në dialogun ndërmjet mes dy vendeve.
Më 27 gusht, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentave të veçanta, jashtë kartave të identitetit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve. Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011. Prishtina zyrtare insiston që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve të përmbyllet me njohje reciproke kurse Beogradi kërkon zgjidhje kompromisi.