Connect with us

Shkrime

Macron goditi me spond për diçka tjetër/ Opinioni i analistit Mero Baze

Analisti Mero Baze shkruan se Presidenti Macron nuk donte të ishte i paqartë në atë që tha në Tiranë, dhe shumë se sa penalizimi i mundshëm për mos liberalizmin e vizave, donte t’u tregonte udhëheqësve të Kosovës se ai nuk ka besim se ata mbajnë fjalën e dhënë në Ohër dhe këtë e ka nga një histori e gjatë aktesh politike dhe justifikimesh që kanë krijuar atë klimë mosbesimi tek ai, si një nga autorët e planit të paqes mes Kosovës dhe Serbisë. “Kur presidenti i Francës deklaron se udhëheqja e Kosovës nuk bën atë që thotë, ai nuk e ka thjesht shqetësimin tek karakteri i tyre. Se ka disa politikanë që gënjeshtrën e kanë pjesë të jetës së tyre politike dhe nuk mërziten shumë. Por ai e merr dhe më seriozisht situatën. Kur ai shikon se ata nuk bëjnë atë që thonë, ai dyshon se ata kanë në kokë një plan tjetër nga ai që bien dakord me Perëndimin” – shkruan Baze, duke theksuar se “plani B që tremb Perëndimin është një plan kundër depërshkallezimit në veri, që mund të çojë ose në një konflikt të ri, ose në kthimin në një gangrenë të pakicës serbe në Veri të Kosovës, për ta mbajtur atë si kauzë politike me të cilën Albin Kurti mund të sigurojë pushtet si populist që është”. “Albin Kurti do të krijojë besueshmëri ndërkombëtare kur të ulet të bëjë detyrat e tij të caktuara në Ohër, pasi nuk e ka caktuar njeri supervizor të Vuçiçit, teksa pasi ra dakord verbalisht në Ohër për planin franko- gjerman, filloi të justifikohej se presidenti serb nuk e do planin, se Vuçiç nuk do ta zbatojë atë etj atj. Vuçiç ka axhendë tjetër, ka aleatë të tjerë nga Pekini në Moskë dhe ndoshta nuk ka ndërmend kurrë të firmosë atë plan. Por Kosova nuk duhet të barazohet me Serbinë. Kosova duhet të kryejë gjithë detyrimet e saj dhe t’ia lërë Serbisë në derë përgjegjësinë për hedhjen në erë të projektit franko- gjerman” – theksoi Mero Baze. Sipas tij, Pas Ohrit, duke ju referuar Serbisë, Albin Kurti krijoi bindjen se nuk kishte ndërmend të plotësonte asnjë rekomandim ndërkombëtar dhe në vend që ta fuste Kosovën në prioritetet e Perëndimit, e futi atë nën sanksione të Perëndimit. “Aq e rëndë është kjo, sa dhe pas sulmit barbar të 24 shtatorit, ai ende nuk po barazohet me Serbinë, përsa i përket sanksioneve. Dhe e gjithë kjo se ai ka krijuar mungesë besueshmërie. Tani Albin Kurti mund të jetë gati të firmosë gjithçka, por kjo do t’i hajë kohë që të bëhet dhe i besueshëm. Kur ndodhi 24 shtatori, u pa qartë se Perëndimi ishte në krah të Kosovës me gjithë forcë, dhe kjo është garancia që Perëndimi jep për Kosovën. Ai nuk e lë atë në dorë të Serbisë” – shkruan analisti Baze, sipas të cilit, “nga ana tjetër Kosova nuk duhet të trajtojë kërkesat e Perëndimit si një arsye pse ndodhi 24 shtatori, siç po bën Kurti. 24 shtatori ndodhi nga e kundërta, nga fakti që Kurti ju largua Perëndimit dhe trimëroi Serbinë”. “Tani do t’i duhet dyfishi i punës për të rikthyer besimin tek Perëndimi. Pas gjithë kësaj sorollatje dhe sanksioneve ndaj Kosovës, ati i duhet një herë energji për t’u kthyer në pikën zero dhe pastaj për të filluar ngritjen. Është kjo arsyeja që ajo që bëri Macron, nuk kishte të bënte aq shumë me pezullimin e procesit te liberalizmit të vizave, të cilat janë premtuar se do hiqen në janar, por me faktin se ai i ka hequr vizën udhëheqjes së Kosovës, e cila për të është ende e pabesueshme”

Advertisement