Kosova
Macron kërkon ‘kokën’ e Radoiçiç/ Trajkoviç: Serbia arreston terroristin, por kërkon…
Rada Trajkoviç, këshilltare politike e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Kosovë, Nenad Rashiç, ka potencuar se Serbia po bën “përgatitje serioze” për arrestimin e kryeterroristit, Milan Radojiçiç, i cili organizoi sulmin terrorist ndaj Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar.
Në kuadër të kësaj përgatitjeje, Trajkoviç, ka potencuar se Serbia ka kërkuar zyrtarisht nga Kosova bashkëpunim juridik në këtë drejtim.
“Lajmi i ri është se gjyqësori i Serbisë, prokuroria dhe autoritetet e Serbisë kanë kërkuar zyrtarisht materiale nga autoritetet e Kosovës për Banjskën dhe se do të përgatisin seriozisht arrestimin e Radojiçiç-it” – ka deklaruar Trajkoviç.
Ajo theksoi se Beogradi zyrtar e ka pranuar kushtin e presidentit francez Emmanuel Macron për ardhjen në Serbi dhe sipas saj, prandaj po përgatitet arrestimi i Milan Radoiçiq.
Trajkoviq tha se përvjetori i Banjskës po afrohet dhe se Kurti dëshiron të tregojë se çfarë ka arritur në një vit. Ajo shton se serbët ia panë sherrin ditës së 24 shtatorit.
Kjo pasi sipas saj, forca e serbëve dhe rezistenca e tyre është zbehur me largimin e Radoiçiqit nga Kosova dhe njerëzit që ai mori me vete.
“Me largimin e Radoiçiqit, i cili për 10 vjet kishte një pushtet të papërshkrueshëm mbi serbët dhe që ishte kryesisht në funksion të ngacmimit të serbëve… tërheqja e atyre njerëzve me Radoiçiqin dhe vuajtjet e të treve ia zvogëloi forcën e qytetarëve të veriut”, tha Trajkoviq.
Edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka potencuar, se në bazë të informacioneve që ai posedon, zyrtarët serbë kanë parashtruar kërkesë përmes kanaleve zyrtare autoriteteve kosovare për ndihmë juridike në rastin e sulmit terrorist të 24 shtatorit, përgjegjësin e të cilit e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiç.
Siç ka shpjeguar Hovenier në një intervistë për Radio Evropën e Lirë kjo kërkese përfshinë bashkëpunimin reciprok juridik kur në pyetje janë provat që posedon Kosova, në mënyrë që Serbia ta ndjek penalisht kryeterroristin Radojiçiç.
Ai gjithashtu është shprehur optimist që Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë në këtë drejtim.