Connect with us

Bota

Macron: Paqja nuk arrihet duke braktisur Ukrainën

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka pasur një adresim të jashtëzakonshëm për qytetarët francezë dhe ata të gjithë Evropën, ku ka folur kryesisht për Luftën në Ukrainë, për aleancën perëndimore me SHBA-të dhe veprimet konkrete që duhet të bëhen nga shtetet evropiane për t’u përshtatur me një epokë të re në botë.

Sipas Macron, Paqja në Ukrainë nuk mund të arrihet asnjëherë duke braktisur Ukrainën, një mesazh ky i qartë për Donald Trump përtej oqeanit.

Dhe nga ana tjetër, e quajti “marrëzi” qëndrimin duarkryq të Evropës në një epokë të tillë që po zhvillohet.

“Po ju flas këtë mbrëmje për shkak të situatës ndërkombëtare”, siguroi Emmanuel Macron në fillim të fjalës së tij. “Ju jeni legjitimisht të shqetësuar, duke pasur parasysh ngjarjet historike që po ndodhin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për luftën në Ukrainë. Të njëjtat SHBA synojnë të vendosin tarifa doganore në Evropë. Më në fund, kërcënimi terrorist (është rikthyer). Ne po hyjmë në një epokë të re”, deklaroi ai.

Ndaj, ai e quajti një vendim të mirë sanksionimin tejet të ashpër ndaj Rusisë, të ndërmarrë pas agresionit rus të Ukrainën.

Teksa, plani 2030, duhet të vihet në shinat ku Evropa mbron veten nga kërcënimet globale.

“Deri në vitin 2030, Rusia planifikon të rrisë më tej ushtrinë e saj, me 3 mijë tanke dhe 300 avionë luftarakë të tjerë. Kush mund të besojë se Rusia do të ndalet në Ukrainë?”, pyeti Emmanuel Macron gjatë fjalimit të tij. “Përballë kësaj bote të rrezikshme, të mbetesh spektator do të ishte marrëzi”, paralajmëroi ai.

“Rusia është bërë një kërcënim për Francën dhe Evropën. Situata që po ju përshkruaj është ajo dhe ne duhet të merremi me të. Dhe rruga drejt paqes nuk mund të shkojë pa Ukrainën. Paqja nuk mund të jetë kapitullimi i Ukrainës. Nuk mund të harrojmë se Rusia filloi të pushtojë Ukrainën në 2014. Ne negociuam një armëpushim në Minsk”, shtoi më tej.

Në këtë rast, nuk duhet lënë Rusia të diktojë kushtet, në retorikën e Macron.

Një njoftim i rëndësishëm erdhi po ashtu edhe për faktin se presidenti francez do të mbledhë në Paris shefat e Shtabeve, të vendeve të cilat janë gati të garantojnë paqen në Ukrainë në të ardhmen. Disa vendime sipas tij do të merren në Paris.

Ai po ashtu premtoi investime shtesë të mëdha, pa i rritur taksat për qytetarët. Investime qofshin në infrastrukturë, ashtu edhe në fushën e mbrojtjes, teksa vlerësoi lartë bashkëpunimin me Gjermaninë, Poloninë dhe Danimarkën.

Një derë e hapur u la për deterrencën bërthamore, një aspekt për të cilin vendos Presidenti i Francës dhe ku Macron e ka shprehur edhe më herët gatishmërinë për t’u ofruar vendeve të tjera një “ombrellë nën armët bërthamore” që Franca ka.

Evropa në tërësi ndërkaq, për të, i ka të gjitha aftësitë për të qenë konkurruese si me SHBA-të, ashtu edhe me Rusinë, në disa dimensione.

Duke u ndalur te tarifat që Donald Trump thotë se do të vendosë ndaj Evropës, Macron theksoi se shpreson ta bindë presidentin amerikan të mos ndërmarrë hapa të tillë “të pakuptueshëm.

 

Advertisement