Connect with us

Aktualitet

“Makina s’do përdoret çdo ditë”: Gati drafti për kufizimin e qarkullimit. Lëvizja, sipas targave

Gjatë vitit 2025 përdorimi i automjeteve në Shqipëri do të pësojë kufizim. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e parashikon këtë masë në planin e ri Kombëtar për Energjinë dhe Klimën të hedhur për konsultim publik për të reduktuar përdorimin e burimeve të energjisë, me synimin e afrimit të vendin me politikat e BE.

Sipas këtij plani, gjatë 2025 parashikohet kufizimi i përdorimit të mjeteve në disa ditë të javës, duke përdorur alternime.

Në draftin prej afro 360 faqesh thuhet se përdorimi i makinave mund të bëhet në ditë të caktuara të javës, duke u bazuar në targën e makinës. Kufizimi i përdorimit të automjeteve sipas targës është një masë që shumë shtete në Europë, Amerikë, Azi dhe Afrikë e kanë zbatuar në qytete specifike për të reduktuar ndotjen e ajrit dhe trafikun.

Po ashtu, ky plan parashikon rritjen e përdorimit të mjeteve elektrike në vitet në vijim.

Sipas tij, parashikohet që deri në 2030, 10% e të gjithë flotës së automjeteve në vend të jetë elektrike. Për këtë arsye, qeveria ka vendosur si objektiv të planit kombëtar instalimin e stacioneve të karikimit për automjetet elektrike në pikat ekzistuese të aksesit përgjatë rrugëve kombëtare, pikave kufitare dhe zonave turistike, si dhe caktimin e detyrimeve ligjore ndaj operatorëve ekonomikë, psh. për parkimet publike ose garazhet publike për të qenë të pajisur me stacione për karikimin të automjeteve elektrike.

Plani kombëtar në vend për të reduktuar emetimet e gazeve me efekt serë, parashikon edhe masa të tjera siç janë caktimi i taksave të qarkullimit, promovimi i transportit rrugor publik të udhëtarëve apo përmirësimi i cilësisë së rrugëve./abcnews.al

Advertisement