Aktualitet
MAKTH dy javë/ Punimet bllokojnë autostradën, radhë kilometrike, efekti edhe në trafikun e kryeqytetit
Ka nisur prej ditës së hënë bllokimi i autostradës, duke filluar nga Vora deri tek ura e Dajlanit, me qëllim riparimin e shtresave asfaltike.
Gëzim Noni, përgjegjës i kontratave, ARRSH thotë: “Problemet kryesore janë degradimi i rrugës, sepse ka vite që s’është bërë ndërhyrje, dhe në kuadër të kësaj gjendjeje është marrë masa e tillë. Problematika ka dhe nën shtresa, do evidentohen hap pas hapi dhe do ndërhyet edhe në thellësi.
Pasi të përfundojmë punimet në drejtimin Vorë-Durrës, do të vazhdohet edhe në aksin tjetër, ura e Dajlanit–Vorë, me të njëjtët segmente dhe kohëzgjatje. Por në këto ditë bllokimi, cilat do të jenë rrugët alternative për drejtuesit e mjeteve?
“Jemi në Vorë, fillon devijimi duke shkuar për në Maminas. Vazhdon devijimi edhe në rrugën e vjetër dhe dytësore të zonës. Kemi disa ditë që e kemi bërë të ditur dhe presim një gatishmëri të qytetarëve për të na mirëkuptuar, që të mbarojmë sa më shpejt”, thotë Noni.
Autostrada Tiranë–Durrës është një nga nyjet kryesore dalëse nga kryeqyteti. Por një bllokim i tillë paralizoi edhe Tiranën, duke krijuar një trafik të rënduar. Ndërsa për ambulancat, të cilat kishin emergjencë jashtë kryeqytetit, u desh të përballen me këtë situatë.
Bllokimi i autostradës ka sjellë një trafik kilometrik si në aksin kryesor, por edhe në rrugën dytësore. Por sipas ARRSH, një ndërhyrje e tillë ishte e domosdoshme.