Aktualitet
Malltezi: Kam jetuar gjithë jetën me ndershmëri, tani duan të na nënshtrojnë si të korruptuar
Argita Malltezi, në një dalje në televizion, tha se “s’bën kuptim të jetosh si i ndershëm e të nënshtrohesh si i pandershëm”
“Pritshmëria ime në atë moment, unë mund ta kisha pritur një gjë të tillë, që ai të tërhiqej në vitin 2017. Dhe për hir të së vërtetës, në një moment unë i thashë që “nuk ke pse mban koston e listës, tërhiqu dhe trego distancim”. “Jo” tha, “sepse do të mund të humbasë Partia Demokratike dhe unë i jap kosto”. Dhe për këtë arsye vazhdoi.
Më pas u humbën mandatet, u dogjën për shkak të Lulzim Bashës, nuk kishte më kuptim që të tërhiqej, dhe iku ajo çështje.
Në vitin 2021, ajo që unë kam pritur dhe nuk ja kam thënë fillimisht Berishës, e kam thënë në familje dhe në prezencë të dikujt tjetër përveç familjes. Ka qenë pikërisht që nëse ka një trashëgimi që do doja për fëmijët e mi është qëndrimi, sfidimi i kësaj situate. Një njeri që jeton… unë mendoj se kam jetuar gjithë jetën ndershmërisht dhe i kam bërë gjërat pak por gjithmonë me rregull.
Nuk mund ta pranosh, ose pastaj, jeto si një pjesë që i shkelin ligjet dhe nënshtrohu se është kollaj domethënë.
Por, nuk mund të marrësh dy barra, dhe të jetosh si i ndershëm dhe të nënshtrohesh si i pandershëm.
Kështu që absolutisht, i kam thënë një gjë, në një moment, i thashë: Nuk i detyrohesh askujt asgjë!
As ne dhe askujt tjetër, çdo gjë kalon, ajo që duket sfidë e madhe në një moment, kalon. Kemi kaluar gjëra shumë më të rënda se kaq dhe ja ku jemi.
Nuk ka gjë që nuk kalon në jetë. Askujt nuk i detyrohemi, vendos si të duash.
Dhe nëse e more këtë vendim tani , tërhiqu nëse do, nuk ka asnjë problem.
Dhe, ka thënë ‘jo’, ka mbajtur atë qëndrim dhe pritshmëria ime ka qenë që të mbante pikërisht këtë qëndrim. Mendoj që në jetën time nuk kam mësuar kurrë më shumë se sa në këtë moment nga im atë. Dhe, them që nëse ka diçka që shqiptarët duhet të mësojnë është pikërisht kjo, durimi.
Ai është një njeri që sot duron në një kohë kur nuk kishte pritshmëri për të arritur diçka.
Ai prapë duron dhe bën atë që mendon që është e drejtë. Për ata që janë besimtarë, do thoja ky është durimi.
Ky është sabri që i thonë ndonjëherë në fe. Ndërsa për ata që janë ateistë do thoja ky është stoicizmi. Stoiku çohet dhe bën atë që duhet bërë pa pyetur për përfundimin por vetëm për veprimin që bën, veprimi është ajo amorfatja, ajo që të motivon, që të përmirëson në jetë. Pra, çdo vështirësi të përmirëson.
Sot unë ndjehem shumë më e pasur shpirtërisht dhe shumë me fat që kam përjetuar një lloj qëndrimi të tillë. Unë nuk e di se si shkon kjo histori, por absolutisht nuk më shqetëson kjo”, tha ajo.
Argita tha se më 2017 iu propozua të merrte drejtimin e PD.
“Më 2017, kam pasur kërkesë për të qenë në krye të Partisë Demokratike. Por, nuk kam dashur që të përflitem, që unë si vajza e Berishës, e trashëgova postin e kryetares së PD-së. Partia Demokratike do të fitohet me garë. Posti i kryetarit nuk do të trashëgohet, kjo nuk do të ndodhë”, tha Argita Malltezi.
“Kurrë nuk e kam dashur që PD kjo forcë kaq e madhe të përfaqësohet me institucione të trashëguara. Dhe nuk e pranoj as sot dhe nuk do ta merrja as sot një gjë të tillë. Nëse do të ishte ndonjëherë kjo, unë do ti bija qark Shqipërisë për ta arritur dhe për të bindur njerëzit dhe nëse nuk do ti bindja njerëzit nuk do ta bëja një gjë të tillë.
Kam thënë që nuk ka asnjë lloj kompleksi për ta thënë dhe për ta bërë këtë gjë. Mendoj se PD ka kapacitete në strukturat e saj që i përmbushin të gjitha kriteret për ta bërë atë, unë jam e gatshme për të mbështetur këdo por absolutisht do bëj çdo gjë me aq sa mundem që gjërat të shkojnë në vendin e duhur”, theksoi më tej Malltezi.