Aktualitet
Mamaja denoncon zhdukjen e së bijës 13 vjeç, arrestohet 17-vjeçari që kreu marrëdhënie me të

Një 17-vjeçar që i përket komunitetit rom në Korçë është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë 13 vjeçe.
Ka qenë nëna 40-vjeçare e vajzës që ka kërkuar ndihmën e Policisë së Korçës, duke raportuar largimin e së bijës nga banesa. Pas kallëzimit, uniformat blu kanë nisur hetimet dhe ditën e sotme kanë ndaluar 17-vjeçarin, me akuzën “Marrëdhënie seksuale me të mitur”.
Burime pranë oficerëve të policisë gjyqësore bëjnë me dije se si vajza, ashtu edhe djali kanë pranuar se kanë kryer marrëdhënie seksuale me dëshirën e të dyja palëve.
Megjithatë, për shkak të moshës së vajzës, policia nuk ka marrë në konsideratë deklarimet e tyre, por ka kryer ndalimin me iniciativë të 17-vjeçarit me inicialet F. T. Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet për këtë rast.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë ndaluan me iniciativë një 17-vjeçar, për veprën penale ‘Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur’, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një 13-vjeçare”, thuhet në njoftimin zyrtar.

