Kosova
MARATONA PA FUND/ Thomas Countryman shpreh pesimizëm për Kosovën dhe Serbinë
Zëvendësndihmëssekretari amerikan në kohën kur filloi dialogu mes Kosovës dhe Serbisë 13 vjet më parë, Thomas Countryman, nuk sheh përmbyllje të shpejtë të bisedimeve mes dy shteteve. Sipas tij, qeveritë e të dyja vendeve më të shqetësuara janë për çështje të tjera të brendshme sesa për ecjen para në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Për mungesë progresi në dialogun e Kosovës dhe Serbisë ai ka bërë njësoj fajtore të dyja vendet
“Besoj fuqishëm që Beogradi dhe Prishtina kanë marrë shprehi që të fajësojnë Brukselin dhe nganjëherë edhe Uashingtonin për paaftësinë për të ecur përpara. Këndvështrimi im është sejane dy qeveri që janë më shumë të shqetësuara me mbajtjen e shumicës së tyre, sesa të bëjnë progres, qoftë në dialog ose drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”- ka thënë Countryman, I cili gjithashtu nuk beson se çështja mes Kosovës dhe Serbisë do të përmbyllet së shpejti.
“Sigurisht që është koha të përmbyllet dialogu, por nuk shoh se do të përfundojë shpejt dhe mendoj që as Qeveria e Serbisë e as e Kosovës nuk duhet të shpresojnë në një zgjidhje të shpejtë nga duart e administratës së re amerikane”- ka theksuar Countryman dhe ka theksuar se as Albin Kurtit e as Aleksander Vucicit nuk u hyn as ndryshimi i administratës në SHBA e as udhëheqësit e rinj në bllokun evropian.
“Është bërë pak progres, por ka munguar vullneti i duhur nga të dyja palët në implementimin e marrëveshjeve të arritura. Nuk shoh që zgjedhjet në BE do ndryshojnë gjë. Është e nevojshme që BE-ja të bëhet më e unifikuar dhe të marrë pozicion më përgjegjës për shtete anëtare të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo është e rëndësishme. Por nuk mendoj që zgjedhjet në BE ndryshojnë dinamikën brenda Kosovës dhe brenda Serbisë”, ka theksuar Thomas Countrymanqë aktualisht është kryetar i Bordit të Shoqatës së Kontrollit të Armëve në SHBA, I cili gjithashtu theksoi se në rajon ekziston gjithmonë rreziku i dhunës, por konsideroi se kërcënimi i përdorimit të dhunës si mjet është i papranueshëm.