Aktualitet
Marrëdhëniet e Kosovës me BE dhe SHBA/ Hajdari: Kurti të bëjë një ‘mea culpa’
I ftuar në emisionin në një emision televiziv, ish prokurori Shkëlqim Hajdari ka komentuar ngjarjet e fundit të Kosovës dhe marrëdhëniet e tensionuara edhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Ai u shpreh se kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti duhet të bëjë një “mea culpa” të madhe për pikën ku i ka çuar marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara.
Ish-prokurori ka shtuar se mes krerëve të qeverive të Kosovës e Shqipërisë ka një marrëdhënie të tensionuar, por se problemi më i madh për momentin është marrëdhënia e Prishtinës zyrtare me ndërkombëtarët dhe aleatët më të mëdhenj.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Nisida Tufa: Si i komentoni ngjarjet e fundit në Kosovë?
Shkëlqim Hajdari: Në Kosovë ndryshe nga sa pritej, po zhvillohen disa ngjarje që nuk janë të këndshme. Kurti duhet të bëjë një “mea culpa” shumë të madhe për marrëdhëniet me BE e SHBa. Duhet të rikoordinohet me politikën vendase dhe politikën shqiptare në rajon.
Serbia nuk duhet të na tërheqë në hallet që ka. Hall ka Vuçiçi që do te këtë një këmbë në bakllava e një në kadaif, edhe me Perëndimin edhe me mos vendosje të sanksioneve ndaj Rusisë.
Ne duhet të fitojmë paqen, duhet të unifikojmë qëndrimet me BE e SHBA, asnjë rrugë tjetër nuk e nxjerr dot Kosovën atje ku duhet të dalë.
Nisida Tufa: Po në lidhje me qëndrimet kryeministrit Edi Rama? A ishte e nevojshme anulimi i mbledhjes së parashikuar mes dy qeverive?
Shkëlqim Hajdari: Ndërmjet dy kryeministrave ka një marrëdhënie që shoqërohet me tension dhe kjo është e dukshme. Por Kurti ka një marrëdhënie të tensionuar ehe me opozitën në vend, BE, SHBA, me mediat. I bie që është ai në konflikt me të gjithë.