Connect with us

Politike

Marrëveshja/Ja çfarë përfiton kush blen apartament në Portin e Durrësit

Qeveria shqiptare ka në plan të ofrojë pasaportë shqiptare apo rezidencë për të huajt që pranojnë të blejnë një apartament në pallatet që ajo ka në plan të ndërtojë në Portin e Durrësit në projektin kontrovers të marinës. Lajmi bëhet e ditur nga një kopje e projektmarrëveshjes mes qeverisë dhe kompanive private, projektmarrëveshje që po i nënshtrohet një shqyrtimi parlamentar me procedurë të përshpejtuar, ndërsa është negociuar privatisht në mënyrë të drejtpërdrejtë nga zyrtarët e qeverisë.

“Investitorët e huaj që blejnë drejtpërdrejt nga prona e Investitorit Strategjik në Projekt, do të kenë të drejtë të aplikojnë për shtetësi dhe/ose rezidencën e përhershme të Republikës së Shqipërisë,”-shkruhet në nenin 10.11 të projektmarrëveshjes. Sipas saj, “kushtet dhe regjimin specifik që do të përcaktohet nga një vendim i Këshillit të Ministrave në bazë të kësaj Marrëveshjeje dhe të plotësimit të kritereve të kërkuara nga Legjislacioni i Zbatueshëm.”

Kjo masë ka gjasa që do të shkaktojë shqetësim në Bashkimin Evropian, një institucion që ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se skema të tilla të shitjes së shtetësisë.

Pasaporta shqiptare ka marrë vlerë që nga viti 2010, kur Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi heqjen e vizave për shtetasit shqiptar. Për rrjedhojë, shqiptarët mund të udhëtojnë pa telashe në 65 vende, shumica e të cilave gjenden në Evropën Perëndimore. Kjo ka bërë që qytetarë të pasur të vendeve jodemokratike, të tilla si Arabia Saudite, të kërkojnë të marrin pasaportë shqiptare për të udhëtuar pa telashe në vendet e zonës Shengen. Në qershor të vitit 2020, pas një investigimi gazetares, policia shqiptare u detyrua të arrestojë tre zyrtarë të lartë dhe një specialist nën akuzën e trafikut të qenieve njerëzore pasi kishin lëshuar leje qëndrimi për shtetas nga Lindja e Mesme në bazë të dokumenteve joreale.

Qeveria shqiptare nuk e ka fshehur dëshirën për të ofruar pasaporta për “investitorët e huaj” pavarësisht kritikave të përsëritura nga Bashkimi Evropian.

Në raportin e fundit të progresit, Komisioni Evropian shkruan:

“Në lidhje me shtetësinë, Shqipëria duhet të vetëpërmbahet nga zhvillimi i një skeme shtetësie për investitorët (pasaporta të arta) për shkak se kjo skemë përbën rrezik në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit, korrupsionin dhe inflitrimin nga krimi i organizuar.” Raporti vëren se një skemë e tillë “mund të jetë e papajtueshme me acquis të BE-së”. Acquis është termi që përmbledh trupën e të drejtave dhe detyrimeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian gëzon gjithashtu të drejtën që të tërhiqet nga marrëveshja për liberalizimin e vizave me Shqipërinë në rast se Shqipëria nuk plotëson kërkesat e saj.

Projekti i Marinës së Durrësit konsiston në dhënien e tokës falas për një grup investitorësh privatë, të cilët nga ana e tyre do të kenë të drejtë ta shesin pallatet. Sipas planit, shumica dërrmuese e projektit “do të financohet nga shitjet”, pra një skemë e zakonshme e ndërtuesve shqiptarë që marrin lejen e ndërtimit dhe shesin që në themel./BIRN

Advertisement