Kosova
Marrëveshja Kosovë-Serbi, Escobar dhe Lajçak vizitë në Prishtinë
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, filloi të martën një vizitë në Prishtinë në kuadër të vizitës së tij të përbashkët me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Escobar fillimisht u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani kurse gjatë mbrëmjes u takua me liderët e partive politike në opozitë, por prej dy takimeve nuk ka patur asnjë koment apo deklaratë. Sot më 24 gusht është paraparë që I dërguari i Shteteve të Bashkuara të takohet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Pas Prishtinës, Escobar dhe Lajçak do të vizitojnë Beogradin në vazhdën e përpjekjeve për të shënuar përparim drejt një marrëveshjeje që do të shmangte tensionet në terren, të cilat pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.
Vizita pason takimin e javës së kaluar në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, ku nuk u shënua ndonjë përparim.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të martën në një bisedë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, se Serbia është serioze për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale të shkaktuar siç tha ai nga “lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”.
Një studim i publikuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës bën thirrje që Kosova dhe Serbia të përqendrohen në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare e cila si rrjedhojë do të zgjidhte të gjitha çështjet teknike.
Raporti “Dialogu Kosovë-Serbi, një hap para, tre mbrapa” thekson gjithashtu se mungesa e vullnetit politik për të ecur përpara drejt marrëveshjes përfundimtare, do të vazhdojë të reflektohet në terren, duke mbajtur një situatë të paqëndrueshme që prodhon herë pas here tensione.