Shkrime
Marrëveshja me Gjermaninë, goditje me litium për Kosovën
Kancelari Scholz shkoi në Beograd për të nënshkruar një marrëveshje lidhur me shfrytëzimin nga ana e vendeve të BE-së dhe vetë Gjermanisë të litiumit në Serbinë Perëndimore, i cili është aq i nevojshëm për prodhimin e baterive të makinave elektrike.
E sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, Aleksandër Vuçiç e quajti të vështirë pritjen e kancelarit Scholz, duke u hequr si gardian i interesave serbe.
“Vuçic nuk le rast, edhe në momente si kjo vizitë, pa bërë viktimën, që “po detyrohet” të bëjë lëshime ndaj Perëndimit. Kjo ishte karakteristika themelore e asaj vizite. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Vuçic u rehatua! Tani nuk ka më frikë se në Evropë do ta godasin për ndonjë aventurë anti-demokratike të radhës kundër opozitës serbe. Ndoshta ai do marrë zemër e do trimërohet edhe për ndonjë akt kriminal e terrorist në Kosovë, në Mal të Zi apo në Bosnjë-Hercegovinë. Në këtë pikëpamje Vuçic ngjan me kryeministrin e Shqipërisë. Të dy këta sillen me servilizëm të paparë me partnerët euro-amerikanë, thjesht për të garantuar pushtetin. Marrëveshja dëshmon se kur një lider politik është i kapur, ai fillon e kapërcen nga një degë në tjetrën, derisa të ngelet i varur në ndonjë hallkë çengeli” – ka shkruar Bytyçi
Sipas tij, Vuçic litiumin që ua dha evropianëve dhe gjermanëve ua kishte premtuar kinezëve. Tani nuk dihet në çfarë rrethanash, ai u detyrua most a mbaje fjalen e dhene me atë që ai e quan “Mik e vëlla kinez”, presidentin Xi Jinping
Siç tha Bytyçi, marrëveshja e nënshkruar është thyerje e madhe e marrëdhënieve kino-serbe, qe nuk do të duket në sipërfaqe, sepse kinezët kurrë nuk reagojnë publikisht. Por ata shkojnë me parimin se “Po më gënjeve njëherë, kurrë nuk do të jesh më i besueshëm” për ta! Nëse kemi parasysh këtë efekt në marrëdhëniet e Beogradit me Pekinin, të mos harrojmë se edhe rusët nuk janë aq të lumtur me sjelljet e Vuçiç. Por se presidenti i Serbisë mund të shkojë aq larg sa ai të prishë marrëdhëniet me Moskën, kjo nuk mund të pritet. Për mua është një sjellje taktike mashtruese në stilin me të cilin mashtrojnë liderët serbë e sidomos presidenti aktual.
Shumëkush e ka trajtuar vizitën e Scholz në Beograd dhe marrëveshjen e nënshkruar për litiumin si “goditje për Prishtinën. Afrimi i Gjermanisë dhe BE-së me Serbinë shihet si rrezik për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kjo pikëpamje është shumë e rrezikshme për ne shqiptarët dhe nuk mund të bëhemi influencues artificialë për të diktuar politikat e të mëdhenjve. Ne thjesht kemi në dorë dhe duhet të ndërtojmë sjelljen tonë në bazë të sjelljes së Fuqive të Mëdha, duke ndërtuar strategjinë e forcimit të miqësive me aleatët dhe partnerët” – shpjegoi profesor Bytyçi…………..
Po si duhet të veprojë Kosova përballë ofensivës serbe?
“Nëse Serbia përdor influencat personale për ndërtimin e këtyre marrëdhënieve, Kosova duhet të përdorë mirëmenaxhimin e resurseve të saj e në veçanti të standardeve të demokracisë e të lirisë, që përkthehet në respektimin e shtetit të së drejtës. Nëse Vuçic bën pazar me pasuritë e tij për llogari të pushtetit personal, liderët e Kosovës duhet të ofrojnë në tregun euro-atlantik ofertën e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve si dhe shtetin demokratik të së drejtës. Pazaret janë të përkohshme. Liria dhe demokracia kanë ndikim të përhershëm. Nëse me lidhjen e kësaj marrëveshje shohim forcimin e lidhjeve gjermano-serbe, kjo mund të sjellë dobi edhe për Kosovën. Jo automatikisht afrimi i Serbisë me Evropën dhe Gjermaninë sjell dëme për Kosovën. Nuk duhet të funksionojë kështu logjika e arsyetimit të vizitës së kancelarit Scholz në Serbi!” – ka potencuar Bytyci