Connect with us

Aktualitet

Marrëveshja me Shqipërinë/ Sunak: Kemi kthyer 2000 emigrantë

Gjatë rrugës për në samitin e NATO-s në Lituani, kryeministri britanik Rishi Sunak duke folur me gazetarët këmbënguli se plani i tij për të ndaluar emigrantët që kalojnë Kanalin po funksionon, pavarësisht shifrave rekord, shkruan The Guardian. 

Ai tha se Britania ka shënuar progres në këtë çështje, duke marrë këtu shembull kthimin e 2000 emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri, ndërsa shtoi se numri i këtyre të fundit është ulur.  Sipas Sunak marrëveshja me qeverinë shqiptare po funksionon.

“Unë mendoj se plani po funksionon. Ju mund ta shihni këtë më qartë me marrëveshjen që bëmë me qeverinë shqiptare. Ne ndryshuam mënyrën se si funksiononin emigrantët e paligjshëm nga Shqipëria, nënshkruam një marrëveshje të re me Shqipërinë. Kemi kthyer gati 2000 emigrantë të paligjshëm në Shqipëri dhe keni parë një ulje dramatike të numrit të emigrantëve. Kjo tregon se marrëveshja po funksionon. Nuk do të pushoj derisa ta zgjidhim këtë problem. Nuk do të jetë e lehtë. Nuk do të ndodhë brenda natës,” tha Sunak.

E premtja shënoi numrin më të madh të emigrantëve që mbërritën në Britani përtej Kanalit brenda një dite deri më tani këtë vit, me 686 emigrantë që mbërriten.

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij, Rishi Sunak, ranë dakord në dhjetor të 2022 për të rritur bashkëpunimin në tre fusha, njëra prej të cilave mbulonte luftën kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm.

Marrëveshja përfshinte ngritjen e një task force të përbashkët për “menaxhimin e migrimit të paligjshëm të shtetasve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar”.

Advertisement