Connect with us

Politike

Marrëveshja/ Porti i Durrësit përfundon në gjykatë

TIRANË- Partia Demokratike ka çuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për Portin e Durrësit. Pasi ka dorëzuar padinë zyrtare, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi është shprehur se marrëveshja është një megaaferë korruptive dhe një grabitje e pasurisë publike. Po ashtu, Bylykbashi ka theksuar se prapa kësaj megaafere është kryeministri Edi Rama, i cili nuk merr përbazë asnjë ligj shqiptar.

“Siç e kishim premtuar PD depozitoi në Gjykatën Kushtetuese padinë kundër megaaferës korruptive, për marrëveshjen për Portin të Durrësit. Një grabitje e tillë e pasurisë publike për interesa private nën petkun e investitorëve strategjik por me kompani offshore, pikërisht këtë ne e godasim në Gjykatën Kushtetuese, shpresojmë që Gjykata do qëndrojë në nivelin që pritet dhe të bëjë detyrën e saj. Shkuarja tek dhënia me konçesone individësh e kompanish pa marrë parasysh fare ligjin shqiptar, këtë mund ta bëj vetëm një individ, Edi Rama. Ne e godasim këtë duke e çuar në Gjykatën Kushtetuese,” tha Bylykbashi.

Projekti i Portit të Durrësit solli debate në Kuvend mes opozitës dhe kryeministrit Edi Rama, i cili nuk e kurseu gjuhën e ashpër. Kreu i qeverisë e cilësoi projektin si një investim të paimagjinuar ndonjëherë për Shqipërinë. Mohamed Alabbar, i njohur si themeluesi i “Emaar Properties”, e zhvilluesi i Burj Khalifa, Dubai Marina dhe Dubai Mall, është paraqitur nga qeveria si investitor i projektit të portit të Durrësit. Aktualisht kompania e regjistruar në vendin tonë për projektin ka statusin e investitorit strategjik dhe për llogari të projektit janë vënë në dispozicion 209 pasuri shtetërore. Kompania zotëruese e aksioneve ishte Symphony Real Estate Development që pak kohë më parë i kaloi aksionet tek NORTH EAST REAL ESTATE HOLDINGS LIMITED. Opozita e quan aferën më të madhe korruptive faljen e 800 mije metrave katrore një kompani off shore, për të cilën kryetari i PD, Sali Berisha thotë se ka si aksionere vellezërit Kariç. Sipas opozitës ky është një projekt i Rames dhe Vuçic për të marrë Portin e Durrësit. Investimi për ndërtimin e këtij porti është 2 miliard dollarë. Në projekt përfshihet edhe ndërtimi i Portit të Thatë që do sjellë ndërtimin e hekurudhës që lidh Durrësin me Prishtinën, i cili është parashikuar të ketë një terminal, ku do përpunohen 100 mijë kontejner deri në 2050.

Advertisement