Sport
Marrëveshje e kryer, Allegri rikthehet te Milan-i

Massimiliano Allegri thuhet se ka dhënë dritën jeshile për t’u bashkuar me Milan-in, duke u rikthyer në “San Siro” për një periudhë të dytë pasi e drejtoi klubin midis viteve 2010 dhe 2014.
Ish-trajneri i Juventus-it ishte lidhur fort me një transferim te Napoli, të cilët ishin të etur të gjenin një zëvendësim për Antonio Conte-n nëse ai vendoste të largohej.
Megjithatë, kuqezinjtë përfituan nga hezitimi i Napoli-t ndërsa përpiqeshin të bindnin Conte-n të qëndronte, duke intensifikuar bisedimet me Allegri-n dhe në fund duke e bindur atë të nënshkruante.
“Sportmediaset” raportoi të enjten në mëngjes se Milan-i ka arritur një marrëveshje me trajnerin italian për një kontratë tre-vjeçare me vlerë rreth 5 milionë euro në sezon. Të përfshira do të jenë edhe 2 milionë euro në formën e bonuseve.
Simone Padoin, pritet t’i bashkohet stafit të Allegri-t në Milano, ashtu siç bëri gjatë periudhës së dytë të trajnerit në stadiumin “Allianz”.
Napoli ka ngadalësuar negociatat me 57-vjeçarin pasi ka zhvilluar bisedime pozitive me Conte-n, pasi trajneri fitues i titullit duket se tani është i hapur për të qëndruar pas premtimit të Aurelio de Laurentiis-it për të forcuar ekipin dhe një oferte të përmirësuar kontrate.
Allegri e kishte fituar tashmë titullin e Serie A me Milan-in në vitin 2011, por nuk arriti ta ruante Scudetto-n në sezonin pasardhës kundër Juventus-it të Conte-s.
Ai u shkarkua në janar të vitit 2014, duke e lënë ekipin të luftonte për një vend në Champions League.
Po atë vit, Allegri u punësua nga Juventus-i, ku Conte dha dorëheqjen vetëm një ditë pas fillimit të ndeshjeve parasezonale 2014-15.
Allegri qëndroi në Torino për pesë vjet, duke fituar pesë tituj të Serie A, tre tituj të Superkupës, katër Kupa të Italisë dhe duke arritur dy herë në finalen e Champions League.
Ai u kthye në Torino dy vjet më vonë pas periudhave të Maurizio Sarri-t dhe Andrea Pirlo-s në stadiumin “Allianz” dhe fitoi edhe një Kupë të Italisë në tre sezone të vështira.
Drejtori i ri i Milan-it, Igli Tare, nuk e fshehu admirimin e tij për Allegri-n disa muaj më parë kur e përshkroi atë dhe Conte-n si trajnerët “më të mirë” italianë.

