Bota
Marrëveshje historike Turqi-Britani për 20 avionë Eurofighter
Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar një marrëveshje historike me vlerë 10.7 miliardë dollarë për blerjen e 20 avionëve luftarakë Eurofighter Typhoon, gjatë vizitës së kryeministrit britanik Keir Starmer në Ankara të hënën.
Sipas njoftimit të qeverisë britanike, marrëveshja – me vlerë deri në 8 miliardë paundë – përbën kontratën më të madhe të eksportit të Mbretërisë së Bashkuar në dekada dhe është porosia e parë e re për avionët Typhoon që nga viti 2017. Dorëzimet e para pritet të nisin në vitin 2030.
Në bazë të marrëveshjes, BAE Systems do të prodhojë komponentët kryesorë të avionëve, do të kryejë montimin final dhe integrimin e armëve në impiantet e saj në Lancashire, duke gjeneruar punë për rreth 20 mijë vende pune në industrinë britanike. Paketa e armëve do të furnizohet kryesisht nga kompania MBDA, dhe përfshin raketën Meteor me rreze të gjatë veprimi.
Me këtë marrëveshje, Forcat Ajrore Turke bëhen operatori i dhjetë në botë i Eurofighter Typhoon, duke konsoliduar rolin e këtij avioni në mbrojtjen ajrore ndërkombëtare.
Gjatë vizitës, tre avionë Eurofighter të Forcave Ajrore Mbretërore mbërritën në bazën ajrore Mürted në Ankara, ku u pritën nga avionë F-16 turq.
Starmer dhe sekretari britanik i Mbrojtjes John Healey takuan pilotët britanikë në bazë.
“Në të dy skajet e Evropës, Britania dhe Turqia janë partnere thelbësore për përballimin e sfidave të kohës sonë. Kjo marrëveshje do t’i afrojë më shumë forcat tona të armatosura”, deklaroi Starmer.
Sipas autoriteteve turke, blerja e avionëve Eurofighter do të shërbejë si zgjidhje e përkohshme për modernizimin e flotës ajrore, deri në futjen në përdorim të avionit luftarak vendas Kaan.