Politike
Marta Kos mesazh për çështjen e Ballukut: E rëndësishme është që ne të ndjekim vendimet e gjykatës
Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministrin Edi Rama u pyet nga gazetarët në lidhje me çështjen e Belinda Ballukut. Në përgjigje, Kos tha se nuk mund të komentojë çështje konkrete, por shtoi se Shqipëria ka pasur rritje të rëndësishme në luftën ndaj korrupsionit. Komisionerja tha ndër të tjera se në rast se dikujt i dhunohen të drejta ka gjykata që kujdesen për këtë çështje dhe sipas saj raste të tilla ndodhin gjithandej.
“Nuk mund të komentoj çështje konkrete. Ajo që mund të them është që një sistem i pavarur gjyqësor është një nga arritjet më të mëdha të Shqipërisë gjatë viteve të fundit dhe gjithashtu Shqipëria ka patur një ecuri të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe këtë ne e kemi patur si pjesë të gjetjeve tona dhe e kemi bërë pjesë të raportit të zgjerimit. Ajo që ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit në Shqipëri, në fushën e sundimit të ligjit e mbrojtjes së qytetarëve dhe të sektorit të biznesit, do të thosha që është e paprecedentë. Ajo që ne duam nga çdo vend kandidat është që të ketë një sistem, ku me ndihmën e sistemit gjyqësor të ketë siguri ligjore, që në rast se dikujt i dhunohen të drejtat atëherë ka gjykata dhe ka gjykatës të cilët do të kujdesen për këtë çështje. Dhe sigurisht që raste të tilla ndodhin gjithandej, por e rëndësishme është që ne të ndjekim vendimet e gjykatës dhe ajo që kam dëgjuar nga kryeministri që do të ndodhë në fakt,” tha Kos.