Politike
Marta Kos nis misionin e parë zyrtar në Shqipëri

Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos do të zhvillojë një vizitë treditore në Shqipëri duke nisur nga e mërkura, për të shënuar misionin e saj të parë zyrtar në vendin tonë.
Komisioni Evropian shkruan se kjo vizitë do të shërbejë si një rast për të diskutuar me autoritetet shqiptare mbi gjendjen e procesit të anëtarësimit në BE, veçanërisht progresin në reformat themelore dhe në drejtësi.
Vizita do të jetë gjithashtu një mundësi për të përcjellë rëndësinë e konsolidimit të arritjeve përmes rezultateve të mëtejshme të prekshme, në përputhje me natyrën e bazuar në merita të procesit, shton njoftimi zyrtar i autoriteteve evropiane.
Kos pritet të takohet fillimisht me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Më pas, Komisionerja do të marrë pjesë në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në orën 10:10.
Ajo do të angazhohet gjithashtu me institucionet e pavarura shqiptare të drejtësisë, deputetë, duke përfshirë përfaqësues nga opozita, si dhe me organizata të shoqërisë civile.
Gjithashtu, Komisionerja Kos do t’u drejtohet studentëve të Kolegjit të Evropës dhe Universitetit të Tiranës ku do të mbajë një fjalim mbi rolin e shoqërisë civile dhe angazhimin e të rinjve në politikën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Si pjesë e misionit të saj, Kos do të vizitojë tre projekte të financuara nga Bashkimi Evropian në Elbasan, ku do të angazhohet me sipërmarrje sociale të mbështetura nga asetet e konfiskuara nga krimi i organizuar si dhe do të angazhohet me gratë që kanë qenë viktima të dhunës me bazë gjinore.
Ndër të tjera, ajo do të ketë shkëmbime edhe me studentë të rinj që marrin pjesë në programin e shkëmbimit të shkollave të Ballkanit Perëndimor, i cili mbështet pajtimin dhe mësimin ndërkulturor dhe dialogun.

