Kosova
Masat e Vuçiçit për Kosovën/ Kurti: Pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se masat e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç për Kosovën janë pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja. Teksa përmendi tri kushtet e tij, shefi i ekzekutivit u shpreh se të njëjtat janë racionale e paqësore. Para mediave, Kurti të martën foli për hedhjen e koktejit të molotovit në një shtëpi në veri, ku tha se ata që bënë këtë krim do të ndiqen nga organet vendore.
“Ka deklaruar tashmë Policia e Kosovës edhe ne do ta bëjmë sanimin e këtij dënimi. Ndërkaq, ata të cilët e bënë këtë krim me këtë koktej molotovi pa dyshim që do të ndiqen nga organet e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Shefi i ekzekutivit tha se masat e Vuçiçit për Kosovën bëhen nga dëshpërimi dhe janë jo-paqësore.
“Së pari duhet të flisni për tri kushtet që i kam vënë unë, e që janë kushte paqësore dhe racionale, do të thotë janë dorëzimi në autoritetet kosovare i Millan Radojiçiçit, është nënshkrimi i marrëveshjes dhe është gjithashtu tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiç, e cila tha që nuk e pranon as pavarësinë e Kosovës, as ulësen në OKB për Kosovën dhe as nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës.
Ato tri kushte janë paqësore dhe racionale. Ndërkaq ato kërkesat e tij, masat e tij bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin jo-racionalitet e nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend as në Kosovë”, deklaroi Kurti.