Connect with us

Aktualitet

Mashtrimi me mikrokreditë/ Sejko: Problematika do të ketë…

Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, Guvernatori i Shqipërisë, Gent Sejko, ka komentuar mënyrën se si do të procedohet me rastet e mashtrimit nga kompania “Final” sh.p.k. dhe “Micro Credit Albania” sh.p.k., të cilat kanë përdorur licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë, për të zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra.

Guvernatori Sejko, bëri me dije se është njoftuar edhe Kadastra që të mos bëjë tjetërsim pronash.

“Ne kemi ngritur një grup pune, të cilat janë alokuar vetëm për këto dy kompani. Kemi bllokuar vetëm për mos tërheqje dhe jo për derdhje. I kemi çuar një njoftim Kadastrës që të mos kryejnë tjetërsime pronash, për ta ditur këtë revokim liçense. Kemi një plan pune dhe jemi duke bërë definimet ligjore, pasi është hera e parë që bëhet fjalë për një gjë të tillë. Në varësi të ligjit të bankave që kemi për institucionet financiare dhe bankat, po bëjmë definimet ligjore, për të bërë definimet për administrimin e këtyre kompanive. Do të komunikojmë me Ministrinë e Drejtësisë, në bazë të kërkesave ligjore, për të përcaktuar një likuidator për secilën kompani dhe pastaj do të përpunohet një plan masash në vazhdueshmëri për trajtimin e problematikave me likudatorin, gjithmonë nën mbikëqyrjen e bankës së Shqipërisë”, tha ai.

Guvernatori foli edhe për problematikën që ekziston në ato raste që është dhënë vendim gjykate dhe kanë kaluar në përmbarim.

“Problematika do të ketë, sidomos për ato raste që janë në përmbarim, pasi përmbaruesit nuk janë në targin tonë ligjor. Por nga ana ligjore do të shohim se çfarë mund të bëjmë. Pati aty ku fillon gjykata, mbaron roli i Bankës Qendrore, ky është standard ndërkombëtar. Kjo është një punë do të të marrë kohë. Por kërkoj që të ecim shpejt me miratimin e ligjeve, pasi rregulloret ne i bëjmë vetë, si ligji për proceduarat përmbarimore, ligji për tavanin e normës së interesit” tha ai.

Guvernatori Gent Sejko, bëri me dije se në Bankën e Shqipërisë është hapur një zyrë, ku çdo klient mund të ankohet ose të bëjë kërkesa për sqarim.

“Klientit i është dhënë një adresë e-maili dhe një numër kontakti, kemi dhe një zyrë në bankën e Shqipërisë, jemi edhe vet atje ku çdo klient mund të ankohet ose të bëjë kërkesa për sqarim,” tha Sekjo.

Më 23 maj Banka e Shqipërisë u ka hequr licencat, duke nxjerrë nga tregu dy subjekte financiare jobanka, përkatësisht licencën e shoqërisë “Final” sh.p.k. dhe të shoqërisë “Micro Credit Albania” sh.p.k. të cilat ishin pezulluar për shkak se mashtronin qytetarët me mikrokreditë.

Advertisement