Connect with us

Kronike

Mbahej peng në banesë/ E reja rrëfen ngjarjen: Burri po më mbyste

Autoritete greke kanë marrë dëshminë e 22-vjeçares Dafina Kurti, e cila dhunohej dhe u mbajt prej dy vitesh peng në shtëpi nga bashkëshorti i saj 28-vjeçari Aurel Kurti.

Dëshmia e saj ka tronditur gjyqtarët dhe hetuesit, raportojnë mediat greke, Gegonota.neës dhe Protothema. 22-vjeçarja tregoi se erdhi në Volos në vitin 2021 nga Shqipëria, pas martesës me bashkatdhetarin e saj 28-vjeçar, Aurel Kurti një person “i egër” dhe nuk mësoi kurrë të fliste greqisht, sepse nuk kishte pasur kurrë kontakt me asnjë njeri. Ajo dhe fëmija i saj që jetoi abuzimin që nga barku i nënës, jetonin brenda një shtëpie të mbyllur.

Sapo ka mbërritur në Volos, bashkëshorti e ka ndaluar 22-vjeçaren të ketë çdo kontakt me botën e jashtme dhe shtëpia e tyre dukej e pabanuar. Pamjet janë publikuar nga mediat greke.

E ka rrahur rëndë kur u bë e ditur gjinia e fëmijës pasi nuk donte vajzë dhe që atëherë rrahjet ishin përditshmëria e 22-vjeçares, shkruan Gegonotaneës. Kur lindi fëmija, ata jetuan për pesë muaj me qepena të mbyllura. Nëna dhe foshnja nuk e panë dritën e diellit. Në oborr dhe vetëm në oborr u lejuan të dilnin, pas pesë muajsh. Druri ishte i përditshëm dhe i pamëshirshëm dhe nëna nuk lejohej as të vizitonte mjekun për vaksinat e fëmijës dhe as të thërriste një mjek në shtëpi. Pazarin e ka bërë 28-vjeçari, i cili herë punonte në ndërtim e herë në blegtori.

 

 

Mbrëmjen e djeshme dhe teksa gruaja bërtiste, britmat që ishin dëgjuar dhe më parë, të dhunës dhe rrahjeve mobilizuan lagjen. Fqinjët dolën jashtë shtëpisë dhe i trokitën në derë, ndërsa thirrën policinë.  Pasi 28-vjeçari kuptoi se nuk kishte asnjë kërcënim, hapi derën e pasme për të shpëtuar dhe fqinjët e ndaluan dhe e mbajtën aty derisa mbërriti policia.

Po e mbyste kur ndërhynë fqinjët

Kur policia arriti në banesë panë nënën që kishte përqafuar fëmijën e saj, ndërsa ishte e mbuluar me gjak dhe me shenja në fyt. Menjëherë është lajmëruar një ambulance dhe gruaja dhe fëmija u dërguan në spital. 22-vjeçarja nuk di greqisht dhe me ndihmën e një bashkatdhetari u shpjegoi mjekëve dhe policisë se e kapën bashkëshortin pak para se ta vriste duke i futur duart në fyt.

“Kam ngrënë dru edhe më të fortë, kam qenë shumë herë afër vdekjes. Ai më kërcënoi se nëse ikja në Shqipëri do të vinte dhe do të vriste prindërit e mi”, tha ajo në dëshminë e saj dhe e cilësoi burrin si një njeri që ndiqte rregullat e mafies. 28-vjeçari është dërguar dje në hetuesi, ndërsa nëna dhe fëmija janë nën mbrojtje me urdhër të prokurorit. Në daljen e tij para organeve të akuzës, autori ka mbetur pa fjalë dhe duket se nuk ka kuptuar as seriozitetin e ngjarjeve, as rëndësinë e referimit para drejtësisë për krime.

Advertisement