Aktualitet
“Mbaje mend se ç’do të bëj”, pse “Ben Qimja” kërcënoi me jetë gjyqtarin Cjapi!

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga kërcënimi me jetë që ju bë gjyqtarit të Fierit, Vladimir Cjapi nga Arben Isufaj i njohur ndryshe me nokën “Ben Qimja”.
Gjyqtari Vladimir Cjapi, njihet shumë mirë me anëtarët e familjes Isufaj dhe vetë Arben Isufaj, pasi ai para se të bëhej gjyqtar ka shërbyer si avokat në qytetin e Fierit.
Në kuadër të punës si avokat ai ka mbrojtur në procese të ndryshme penale dhe civile, anëtarët e familjes Isufaj.
Për shkak të kësaj njohje, Arben Isufaj i ka kërkuar ndihmë në mënyrë që ish-avokati i familjes së tij që sot është bërë gjyqtar në Fier, ta ndihmonte për punën e gjyqit në Fier.
Kërkesave të Arben Isufaj, gjyqtari i Fierit i është përgjigjur negativisht, duke çuar në fillimin e përplasjes me fjalë me njerëzit e Arben Isufaj.
Ky i fundit më pas ka kërcënuar me jetë gjyqtarin duke i thënë “...Mbaje mënd, se çfarë do të bëjmë…”.
Sakaq një ditë më parë në banesën e Ben Qimes në Fier policia kreu disa kontrolle ku u gjetën dhe u sekuestruan armë, targa makine dhe jelekë multifunksional.
Ndërkohë për gjyqtarin Cjapi, Këshilli për Mbrojtjen e Magjistratëve vendosi t’i ofrojë gjyqtarit mbrojtje të posaçme për një periudhë 6-mujore.
Ben Qimja është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.
I njohur si një eksponent i rëndësishëm i botës së krimit, ai është dënuar disa herë për armbëmbajtje pa leje, përfshirje në vrasje dhe trafik droge.
Gjithashtu Ben Qimja është vënë edhe nën hetim pasuror nga Prokuroria e Posaçme në vitin 2021 ku i janë sekuestruar asokohe 13 pasuri në pronësi të tij.
Përveç Qimes, në dyert e drejtësisë janë paraqitur edhe familjarë të tij pasi akuzohen si të implikuar në ngjarje të ndryshme kriminale.

