Connect with us

Kronike

Mbeti viktimë e atentatit në Shkodër/ Miku i Armando Palit: Ulja në tavolinë me shënjestrën ishte rastësi

Miku i Armando Palit, i vrarë një ditë më parë në atentatin në Shkodër, ka rrëfyer për situatën dhe për karakterin e viktimës. Në një intervistë, ai tha se takimi i Palit me shënjestrën e atentatit në një kafene ka qenë krejt rastësor.

Mënyra si ndodhi ishte e papritur, Armando vinte nga një familje shumë e mirë dhe njihej si një njeri i qetë. Nuk takoheshin shpesh, por kur janë takuar, janë përshëndetur. Ai kishte shkuar të pinte kafe në një vend të qetë përballë bashkisë,” tha miku i tij.

Ai shtoi se Palit nuk i përkiste asnjë konflikt dhe ishte i pafajshëm: “Kjo nuk ka lidhje me Armandon, u vra një i pafajshëm. Ai është një njeri i qetë, me edukatë dhe kulturë qytetare, nuk e ka merituar të ndodhte kjo.”

Miku i Palit apeloi për qetësi në qytet dhe shprehu dhimbjen për familjen e viktimës, duke theksuar se Armando kishte një vajzë dhe ishte i divorcuar: “Uroj që Shkodra të rikthejë qetësinë dhe që komuniteti të mos pësojë më pasoja nga dhuna e fundit.”

Si ndodhi vrasja?

Armando Pali dhe Erogen Brajoviç ishin duke pirë kafe në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës, kur Ragip Gila qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Erogen Brajoviç.

Nga atentati mbeti i vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi) 31 vjeç, truproja i Erogen Brajoviç. Truproja e Erogen Brajoviç, ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra nga breshëria e plumbave. Kurse të plagosur mbetën shënjestra e dyshuar, Erogen Brajoviç dhe kamarierja 25-vjeçare e lokalit, Meri Kaceri. Erogen Brajoviç, i cili mori tre plumba, ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë

Advertisement