Aktualitet
Mbetjet digjen në anë të rrugës në Milot, autostrada mbushet plot me tym
Re të dendura tymi të zi janë shfaqur sërish pasditen e sotme në zonën e Milotit, duke u bërë të dukshme edhe nga superstrada që përshkon këtë zonë. Pamjet tregojnë djegie të materialeve ende të panjohura, një situatë që sipas banorëve po përsëritet vazhdimisht.
Nuk është hera e parë që ndodh një fenomen i tillë, raporton gazetari i Klan News, Martin Marku. Djegia e materialeve në këtë zonë është kthyer në një problem të përsëritur, që prej kohësh shqetëson banorët dhe drejtuesit e mjeteve që kalojnë në këtë segment rrugor, për shkak të ndotjes së madhe të ajrit dhe rrezikut që mund të krijojë për qarkullimin.
Megjithatë, pavarësisht përsëritjes së kësaj situate, deri më tani nuk raportohet për ndërhyrje konkrete nga institucionet përgjegjëse për ta frenuar atë.
Bashkia Kurbin, Policia e Shtetit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Agjencia e Mjedisit dhe organet e drejtësisë nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar mbi rastin dhe as për personat që mund të qëndrojnë pas këtyre djegieve.
Mbetet e paqartë se kush i shkakton këto zjarre dhe për çfarë qëllimi po digjen materiale pranë lumit Mat, ndërsa deri më tani nuk është bërë publike asnjë masë konkrete për ndalimin e kësaj praktike që vijon të përsëritet. Situata ka ngritur shqetësime tek banorët e zonës, pasi ndotja e ajrit dhe rreziku për shëndetin mbeten të larta sa herë që ndodhin episode të tilla.