Connect with us

Bota

Horror në Turqi, dy tërmete të tjerë…Mbi 1.300 viktima

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm ka shkuar në 912, ndërkaq numri i përgjithshëm nga tërmeti që goditi edhe Sirinë, arrin në mbi 1.300 persona.

Tërmeti prej 7.8 shkallësh të Rihterit goditi të hënën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë.

Autoritetet në Turqi dhe Siri kanë raportuar po ashtu për mijëra persona të plagosur.

Sipas autoriteteve të Turqisë, dhjetë qytete turke janë prekur nga tërmeti. Ato janë: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakiri dhe Kilisi.

Ministria e Shëndetësisë e Sirisë tha se 237 persona janë vrarë në provincat e kontrolluara nga Qeveria, në Alepo, Hama dhe Tartus, ndërkaq më shumë se 600 persona të tjerë janë plagosur.

Në Siri, sipas autoriteteve të atjeshme, nga tërmeti janë goditur provincat Alepo, Latakia, Hama dhe Tartus.

Turqia gjendet mbi një nga linjat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet.

Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Ka pasur edhe tërmete pasuese, përfshirë edhe një në shkallë prej 6.7 shkallësh të Rihterit.

Në të dy shtetet po zhvillohen operacione për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pas rrëzimit të ndërtesave. Në të dy anët e kufirit, banorët ishin në gjumë kur goditi tërmeti dhe ata dolën jashtë në mot të ftohtë, me borë dhe shi, teksa ndërtesat u rrëzuan.

Në kërkim të të mbijetuarve nga tërmeti në Turqi dhe Siri

Në banor i qytetit turk, Adana, tha se tri ndërtesa pranë shtëpisë së tij kolapsuan.

“Nuk kam fuqi më”, është dëgjuar të ketë thënë një prej të mbijetuarve, i bllokuar nën rrënoja, teksa ekipet e shpëtimit kanë bërë përpjekje që ta shpëtojnë, tha banori i Adanit, Muhammet Faith Yavus.

Në anën siriane të kufirit, tërmeti goditi rajonet e kontrolluara nga opozita, ku jetojnë afër 4 milionë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Sirisë, për shkak të luftës civile në vend. Shumica prej tyre jetojnë në kushte të rënda dhe pa përkujdesje shëndetësore, teksa territoret ku gjenden ata janë të rrethuara nga forcat siriane.

Autoritetet turke thanë se pas tërmetit të parë të fuqishëm janë regjistruar edhe të paktën 20 lëkundje të tjera pasuese.

Bota ofron ndihmë për Turqinë dhe Sirinë

Pas tërmetit në Turqi dhe Siri, qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare kanë ofruar ndihmë për këto dy shtete.

Komisionari evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic, tha se Qendra për përgjigje dhe koordinim për emergjenca e BE-së është në kontakt me autoritetet turke për të aktivizuar shërbimin që u ndihmon ekipeve të shpëtimit në terren që ta kryejnë punën në mënyrë më efikase.

Rusia tha se dy avionë IL-76 dhe 100 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit janë të gatshëm të shkojnë në Turqi nëse është e nevojshme. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u ka dërguar mesazhe liderëve në Turqi dhe Siri, duke u ofruar ndihmë.

Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po ashtu u shpreh i gatshëm të dërgojë ndihmë.

“Në këtë moment ne jemi afër me popullin mik të Turqisë dhe të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme”, tha Zelensky.

Ndihmë me ekipe të zjarrfikësve dhe qen të shpëtimit premtoi Polonia, por edhe India.

Greqia tha se po mobilizon burimet e ndihmës që do të dërgohen shpejt në Turqi, ndërkaq Spanja pohoi se ekipet urbane të shpëtimit janë të gatshme të dërgohen menjëherë në zonat ku ka nevojë.

Izraeli tha se autoritetet janë duke bërë përgatitjet për të ofruar ndihmë mjekësore dhe të kërkim-shpëtimit, ndërkaq Tajvani ka ofruar një ekip prej 130 zjarrfikësish, por edhe të qenve kërkues dhe 13 tonë ndihma për Turqinë.

Ekipet e shpëtimit nxjerrin një person nga një ndërtesë e shembur pas një tërmeti në Malatya, Turqi më 6 shkurt 2023.

Turqia, ku ishte epiqendra e tërmetit, shpesh goditet nga tërmete të fuqishme.

Disa besojnë se ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Turqinë.

Sizmologu nga Longond College, Stephen Hicks, tha se edhe një tërmet prej 7.8 shkallësh kishte goditur Turqinë më 1939, duke vrarë 30.000 persona.

Horror në Turqi, goditet sërish me dy tërmete të fuqishme njëri pas tjetrit në qendër të vendit

1675680449_fhjll.JPGHorrori në Turqi nuk ka të ndalur, qendra e vendit është goditur edhe nga dy tërmete shumë të fuqishme.

Sipas raportimeve paraprake kanë qenë dy tërmetë njëri pas tjetrit, shumë të fuqishme, 7.7 dhe 6 ballë

Advertisement