Bota
Mbi 1.5 milion pelegrinë nisin Haxhin nën diellin përvëlues

Më shumë se 1.5 milion pelegrinë kanë kryer përgatitjet e fundit për të nisur në mbrëmjen e së mërkurës ritualin më të rëndësishëm të Islamit – Haxhin.
Nikoqirët sauditë kanë tentuar të bëjnë më të mirën për t’u mos përsëritur situata e vitit të kaluar, meqë si pasojë e nxehetësisë së madhe kanë vdekur mbi 1.000 njerëz.
Me temperatura mbi 40 gradë Celsius, pelegrinët kanë nisur t’i kryejnë obligimet e tyre të para afër Qabes, kubit të zi në zemër të Xhamisë së Madhe të Mekës, vend që konsiderohet më i shenjti në botë, sipas Islamit.
Para hyrjes në Mekë, pelegrinët duhet t’i nënshtrohen një regjimi të pastërtisë dhe vishen me rroba të veçanta të bardha.
Autoritetet kanë thënë se mbi 1.5 milion pelegrinë kanë arritur në Arabinë Saudite për Haxhin – njërin prej pesë shtyllave të Islamit, që duhet të kryhet të paktën një herë në jetë nga besimtarët myslimanë.
Zyrtarët kanë tentuar të krijojnë sa më shumë hije nëpër ambiente publike, pasi temperaturat vitin e kaluar në këtë periudhë kanë shkuar mbi 51 gradë Celsius.

