Connect with us

Bota

Mbi 5 mijë viktima, Erdogan shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar personat që besohet se kanë mbetur nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara nga tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë dhe Sirinë.

Mbi 5.000 persona raportohet se kanë vdekur, pasi një tërmet prej 7.8 ballësh goditi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit. Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.

Shtetet në mbarë botën kanë thënë se do të dërgojnë ekipe për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit, por deri më tani vetëm pak ekipe kanë arritur në vendngjarje.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ftohta dhe nga afër 200 dridhje pasuese të tokës, që kanë bërë të rrezikshme kërkimet në strukturat e paqëndrueshme.

Të paktën 2.921 persona janë vrarë në dhjetë provincat turke, ndërkaq mbi 20.000 të tjerë janë plagosur, kanë thënë autoritetet turke.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare.

Në Siri, numri i viktimave në territoret e kontrolluara nga Qeveria ka arritur në 656 persona, ndërkaq 1.400 të tjerë janë plagosur, tha Ministria e Shëndetësisë.

Në pjesën veriperëndimore të shtetit, që kontrollohet nga rebelët, është raportuar se janë vrarë 450 persona dhe qindra të plagosur.

Qeveritë nga e mbarë bota kanë ofruar ndihmë për Turqinë dhe Sirinë pas tërmeteve të fuqishme. I fundit ishte presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, i cili tha se ishte i gatshëm të dërgonte një ekip të kërkim-shpëtimit prej 60 personat si dhe furnizime mjekësore.

Advertisement