Kosova
Mbledhja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, sot vendoset për avancimin e statusit të Kosovës
Kosova sot është pjesë e agjendës së Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila shqyrton avancimin e statusit të vendit në këtë organizatë.
Kuvendi i Kosovës synon ta avancojë statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate. Kosova pret që të marrë përkrahje në avancimin e statusit të Kuvendit të Kosovës.
Delegacioni i Parlamentit të Serbisë, që ka marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje, përmes një letre, i ka kërkuar kësaj Asambleje që të mos i japë Kuvendit të Kosovës statusin e anëtarit të asocuar.
Delegacioni serb u takua me kreun e delegacionit amerikan në NATO, Michael Turner, të cilit iu dorëzua një letër nga kryeparlamentarja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Përmes letrës, Serbia u bëri thirrje anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të mos miratojnë avancimin e statusit të Kosovës nga vëzhgues në anëtar të asocuar, u tha në njoftimin e Parlamentit serb më 26 maj.Në njoftimin e Parlamentit serb u tha se dhënia e një statusi i tillë do të paraqiste shpërblim për Prishtinën, e cila, sipas Beogradit, po bën gjithçka për të penguar dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe për të shmangur obligimet nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Siç thuhet në njoftim, zëvendëskryetarja e delegacionit serb, Natasha Jovanoviq, ia rikujtoi Asamblesë Parlamentare të NATO-s kompeksitetin e çështjes duke pasur për bazë situatën në Kosovë “pasi bëhet fjalë për shkëputje të një anshme të një pjese të territorit, të një shteti të njohur ndërkombëtarisht”. Sipas Jovanoviqit, çështjet territoriale duhet të zgjidhen përmes një marrëveshjeje.
Serbia po ashtu akuzoi Kosovën se po refuzon të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun në Bruksel dhe, sipas Beogradit, 11 vjet pas marrëveshjes së arritur nuk po e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe.