Aktualitet
Mblidhet Këshilli i Ministrave, ja vendimet që u morën

Agjencia për Media dhe Informim njofton se Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme, miratoi një sërë aktesh dhe vendimesh të rëndësishme, ndër të cilat:
I. Projektligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”
Ky projektligj ka për qëllim krijimin e një sistemi të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë, me synim mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik, si dhe përdorimin më efikas të burimeve natyrore, duke mbështetur kalimin drejt ekonomisë qarkulluese.
Projektligji përcakton rregullat për funksionimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve, duke u fokusuar në:
• parandalimin ose reduktimin e mbetjeve;
• minimizimin e ndikimeve negative nga krijimi dhe trajtimi i tyre;
• rritjen e eficiencës në përdorimin e burimeve.
Nga fusha e zbatimit të këtij ligji përjashtohen disa kategori të posaçme, si shkarkimet në atmosferë, tokat e paprekura, dherat e pastra të përdorura për ndërtim, mbetjet radioaktive, anijet e dala jashtë përdorimit, mbetjet nga aktivitetet minerare, ujërat e përdorura dhe nënproduktet shtazore të caktuara.
Ky projektligj është i përafruar me Direktivën 2008/98/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit “Mbi mbetjet”, duke siguruar harmonizimin e legjislacionit kombëtar me standardet e Bashkimit Evropian.
II. Udhëzimi për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave për vitin 2025
Kostoja mesatare e ndërtimit të banesave përcaktohet në nivel kombëtar prej 56 491 lekë/m² sipërfaqe shfrytëzimi. Vlerat specifike sipas qyteteve pasqyrohen në tabelën përkatëse, ndërsa për qytetet që nuk kanë të dhëna të veçanta, do të përdoren vlerat e qytetit më të afërt.
Në rast ndryshimesh të çmimeve të zërave të ndërtimit, kostoja e gjeneruar nga manuali i integruar i çmimeve përmes portalit qeveritar “e-Albania” prevalon mbi koston e përcaktuar në këtë udhëzim.
III. Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime në përbërjen e disa institucioneve:
– Z. Kastriot Gurra, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, lirohet nga kjo detyrë.
-Z. Ermal Shena emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

