Connect with us

Kronike

Mbyllen hetimet për inceneratorin e Fierit

Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka mbyllur hetimet për Inceneratorin e Fierit, ndërsa u komunikuan akuzat për 21 të pandehurit, mes tyre ish-deputeti Alqi Ballko dhe ish-ministri Lefter Koka. Tashmë çështja do të kalojë për gjykim.

Sipas hetimeve të SPAK, 4 milionë euro janë paguar për inceneratorin e Fierit për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.

Më konkretisht, në përfundim të hetimeve, ka rezultuar se Kryetari i Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi në bashkëpunim me Ish Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe Ish Sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit, Alqi Bllako, kanë falsifikuar dokumentet duke paraqitur dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin dhe relacionin për shpronësim për kategorinë e pronës tokë truall, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është tokë arë.

Ndërkohë, ashtu siç dyshonte që në mars, SPAK thotë se ka faktuar se Alqi Bllako, në atë kohë punonjës në Ministrinë e Mjedisit, ka përfituar 14.9 milionë lekë përmes pagës së të atit, Edmond Bllako, duke u paraqitur si drejtor kantieri në inceneratorin e Tiranës me pagë 6 mijë euro, me pagesa nga 2018-a në 2020.

Sipas SPAK, është e provuar se këto pagesa janë përfitime të parregullta nga Alqi Bllako, ndërsa Lefter Koka ka përfituar 146 milionë lekë për dhënien e koncensionit të ndërtimit të inceneratorit.

Advertisement