Aktualitet
Vrau kolegun, mbyllen hetimet për ish-efektivin
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për ish-efektivin Ludjan Zaimi, i cili vrau kolegun e tij në ambientet e komisariatit numër 3 në Tiranë. Zaimi rrezikon 30 vite deri në burg përjetë, sipas nenit 79/b.
‘Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit (Shtuar me ligjin nr. 144/2013) Vrasja me dashje e punonjësve të Policisë së Shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.’– parashikon neni.
Nga ekspertiza e kryer rezulton se i riu nuk vuan nga probleme të shëndetit mendor, ashtu siç ishin hedhur dyshimet pasi kreu vrasjen. Po pritet afati 10 ditor me parashtrimet e mbrojtjes për ta dërguar dosjen në Gjykatë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 23 Maj në Tiranë. Ludjan Zaimi, efektivi 25-vjeçar që nuk duroi dot shakatë e talljet e kolegut të tij Çaush Saliasi. Ky i fundit humbi jetën në Spitalin e Traumës si pasojë e plagëve të rënda në organet jetësore. Ndërkohë që autori, i cili prej më shumë se një viti ishte rekrutuar në Policinë e Shtetit deklaroi se shkak për sherrin ishte bërë tallja dhe bullizimi nga kolegu i tij, Saliasi.
Avokati i autorit është shprehur për mediat se Zaimi ka pranuar krimin që ka kryer por nuk ka dhënë asnjë shkak për ngjarjen. Sipas avokatit, 25-vjeçari ka thënë se merrte qetësues e medikamente, por as vetë nuk e dinte se për çfarë i përdorte.