Politike
Mbyllet mbledhja e Këshillit Bashkiak, miratohen dhënia e titullit “Qytetar Nderi” për Ali Ahmetin dhe emërtimet e rrugëve për Remzi Hoxhën dhe Tomor Malasin
Sapo ka përfunduar mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, në të cilën u miratuan disa vendime të rëndësishme për qytetarët, si ndihma ekonomike për njerëzit në nevojë, apo bonuset e qirasë dhe dëmshpërblimet për ata që kanë pësuar aksidente me zjarret në shtëpitë e tyre.
Ndërkaq, anëtarët socialistë miratuan me shumicë votash dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për kryetarin e BDI, Ali Ahmeti, partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si dhe emërtimi i një rruge në Tiranë me emrin e Remzi Hoxhës, biznesmenit të zhdukur në vitin 1995 nga SHIK-u i Sali Berishës.
Gjithashtu, Këshilli Bashkiak miratoi edhe emërtimin e një rruge me emrin e Tomor Malasit, ish deputet i PD dhe ish kryetar bashkie i Tiranës në vitet 1991-’92. Po ashtu, u miratua shpërblimi financiar për klubin e futbollit Partizani, pas triumfit në kampionatin kombëtar të Kategorisë Superiore për sezonin 2022-2023.