Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar pas mbylljes së hetimeve nga SPAK, duke deklaruar se nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare.
Ai tha se u njoftua verbalisht nga një gardian në orën 08:30 të mëngjesit. Për shkak të mungesës së avokatit të tij, Meta nuk është paraqitur pranë SPAK-ut.
Kryetari i Partisë së Lirisë shprehet i gatshëm për përballje dhe e cilëson procesin një farsë politike.
Reagimi i plotë i kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta:
Për transparencë me opinionin publik dhe në ndihmë të gazetarëve në funksion të mirinformimit
Nuk kam patur as ftesë dhe as shkresë zyrtare nga SPAK deri sot në ora 08:30, kur një gardian i IEVP “Jordian Misja” më komunikoi verbalisht se në orën 09:50 më kërkonin te SPAK, pa dhënë asnjë lloj sqarimi.
U lidha me avokatin tim, Kujtim Cakrani, i cili sot kishte kaluar kufirin dhe e kishte të pamundur për t’u paraqitur në SPAK në orën e komunikuar në mënyrë verbale nga një gardian. Ndaj duke qenë se prania e avokatit është e domosdoshme nga pikëpamja proceduriale do të paraqitemi në SPAK sa më parë avokati ta ketë të mundur.
Mezi presim gjykimin dhe përballjen, pas 6 vitesh hetimesh, që nga dhjetori 2019, për të çmontuar këtë proces farsë, të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, në mënyrë që i gjithë opinioni vendas dhe ndërkombëtar të mësojë të vërtetat e vetme:
ZERO fakte penale!
ZERO prova penale!
ZERO akte dhe vendime të paligjshme!
ZERO lekë dëm buxhetit të shtetit!
ZERO lekë të përfituara në shkelje të ligjit!
ZERO pasuri të paligjshme!