Connect with us

Politike

Mbyllja e listave/ Shpërthen Basha: Pazar Rama-Berisha, antikushtetues…

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të kësaj force politike.

Basha ka komentuar votimin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor si pazar antikushtetues mes Ramës dhe Berishës, të cilët ndajnë halle të përbashkëta me drejtësinë.

Ai gjithashtu deklaroi se po bëhet gati drafti për ta çuar në Gjykatë Kushtetuese sepse formula është antikushtetuese dhe bie ndesh me standartet minimale për zgjedhje të lira.

Basha: Të gjithë jemi dëshmitarë të asaj që ka ndodhur 3-4 ditët e fundit, jo vetme ne që e kemi përjetuar këtë prej shumë kohës në kurriz të kauzave të PD, në kurriz të kazuave të opozitës, por mbarë qytetarëve shqiptarë, përfundimisht e kanë kuptuar që prej vitesh po luhet një Pazar i ndyrë në kurrizin e tyre.

Pazari është midis Edi Ramës dhe Sali Berishës. Pazari është që Edi Rama të vazhdoj të mbetet kryeministër, në këmbim që Sali Berisha të vazhdoj të mbaj peng opozitën, për t’i shërbyer secili hallit të vetë.

Ka një shprehje popullore që thotë se halli-hallit nuk i ngjan, në këtë rast nuk është e vërtetë, në këtë rast kanë të njëjtin hall. Problemet që kryeministri dhe ish-kryeministri kanë, janë probleme të drejtësisë. Njëri në hetim për korrupsion, tjetri ka disa çështje, njëra më e rëndë se tjetra. Të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, jo vetëm politikë dhe institucional, por edhe personal, që e implikojnë me përgjegjësi penale.

Për një kohë të gjatë, për 34 vjet në fakt, jo vetëm kryeministrat, por edhe njerëz me pushtet më të pakët institucional, janë mësuar t’ia hedhin përmes pandëshkueshmërisë sepse deri para pak kohësh, të paktë ishin ata prokurorë apo gjyqtarë që e çonin ndër mend të hetonin një kryeministër në detyrë, apo ministra në detyrë. Mirëpo kjo e ka ndryshuar me ardhjen në jetën institucionale të SPAK, e natyrisht me investimin e madh të besimit të publikut te këta, sigurisht me mbështetjen e partnerëve strategjikë të Shqipërisë.

Lufta e Berishës dhe Ramës është kundër barazisë para ligjit, këta e shohin veten si pronarë të Shqipërisë.

Edhe akti i të premtes së kaluar është hiç më pak se shprehje e mendësisë së tyre se këta janë padronët e shtetit, padronët e zgjedhjeve, padronët e parlamentit. Natyrisht, gjurmët e marrëveshjes janë kudo, por kemi ujkun. Ç’na duhen gjurmët, kur kemi ujkun. Pas vendimit për të mbyllur listat, janë hedhur në justifikime që i kanë identike me njëri-tjetrin.

Fakti është që Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj i hapi listat, ky është një fakt i pranuar botërisht, nga përfaqësia diplomatike e OSBE-së në Tiranë, zyrtarisht, e pranuar publikisht nga përfaqësuesit politik të PS.
Ndërkohë që gënjeshtra e Sali Berishës, që “ne i donim pak të hapura listat, por i donte PS-ja të mbyllura”, e nxjerr zbuluar si bashkëpunëtor të nënshtruar të Edi Ramës. Në fakt Damian Gjuknuei i Edi Ramës ka thënë të kundërtën, ka thënë që listat janë 100% të hapura, në qoftëse ka vullnet, mbeten ta hapura.

Një hile për të emëruar deputetët, është një hile që tejkalon edhe pafytyrësinë e gjysmë hapjes së 2021-shit.
Tani e kanë izoluar plotësisht 1/3 e listës, për çdo parti që merr pjesë në zgjedhje.

Edhe nëse një kandidat në listat e hapura merr 7 mijë, 10 mijë, 20 mijë, 30 mijë vota, por partia mbetet brenda numrit të mandateve të fiksuara, që në Tiranë është 12, 1/3-ta, ky kandidat mbetet jashtë dhe votat e tij i shkojnë kandidatëve të emëruar nga kryetari. Kjo padiskutim është antikushtetuese, kjo i bie ndesh çdo parim, jo vetëm kushtetues, por minimumit të standarteve të të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Ndaj bazuar mbi këtë dhe mbi shkelje të tjera të kushtetutës, ekipi më i mirë i juristëve kushtetues që ka Shqipëria, me asistencë të konstitucionalistëve më të mirë të Europës, po bëjnë gati çështjen për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese.

Advertisement