Kosova
‘Më e dobëta në historinë e Kosovës’/ Opozita sulmon ashpër qeverinë e Kurtit
Tri subjektet opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë quajtur qeverinë Kurti si më të dobëtën në histori të Kosovës. Sipas tyre, ekzekutivin në këto tri vite e gjysmë e ka karakterizuar prishja e raporteve me aleatë, vendimmarrja e dobët, antikushtetushmëria dhe populizmi.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefat e tri partive parlamentare thanë se do të angazhohen që në sesionin vjeshtor të legjislativit të shpërfaqin dështimet e qeverisë para qytetarëve.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se do të angazhohen aktivisht që vendit t’i japin një qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ai theksoi se Kosova s’ka qenë asnjëherë në pozicion më të pavolitshëm me aleatët ndërkombëtarë. Kritika ndaj qeverisë Kurti adresoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Ai e konsideroi këtë legjislaturë të Kuvendit por edhe ekzekutivin si më të dobët në histori të Kosovës.
Tri partitë opozitare parlamentare paralajmëruan se në sesionin vjeshtor të Kuvendit do të shtyjnë përpara përmbylljen e hetimeve në komisionet hetimore, në lidhje me shërbimin e jashtëm por edhe për subvencionimin e teksteve shkollore.