Sport
Me fanellen e UÇK-së, policia serbe arreston italianin, nis aksionin para ndeshjes Serbi-Shqipëri
Autoritetet serbe kanë ndaluar një shtetas italian 35-vjeçar, në kuadër të masave të rrepta të sigurisë që janë vendosur përpara ndeshjes Serbi–Shqipëri që luhet sonte në Leskovac. Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, i riu, me inicialet E.E., është ndaluar në pikën kufitare të Merdarës, pasi gjatë kontrollit në makinën e tij Peugeot policia ka gjetur një fanellë me simbolet e UÇK-së.
Mediat serbe raportojnë se autoritetet e kanë akuzuar për nxitje të urrejtjes kombëtare dhe racore, ndërsa ndaj tij është vendosur masa e ndalimit për 48 orë, deri në daljen përpara gjykatës.
Ngjarja ndodh në një atmosferë të tensionuar sportive dhe politike, teksa Serbia po përpiqet të shmangë çdo shfaqje simbolesh shqiptare gjatë ndeshjes me Shqipërinë, duke kontrolluar me kujdes kufijtë dhe zonat përreth stadiumit të Leskovacit./