Kosova
Me humbjen e një mandati parlamentar, Lista Serbe mund të mos jetë pjesë e Qeverisë

“Qeveria e ardhshme e Kosovës mund të formohet pa Listën Serbe, nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, edhe pas ankimimit, konfirmon rezultatet aktuale të zgjedhjeve të 9 shkurtit, sipas të cilave, një nga dhjetë vendet parlamentare – të rezervuara për komunitetin serb – i ka shkuar Partisë së Nenad Rashiqit për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë” – keshtu tha per Radio Europa e Lire Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Kjo do të ishte hera e parë që Lista Serbe nuk do të ishte pjesë e Qeverisë së Kosovës që nga themelimi i saj në vitin 2013, pasi që, deri më tani, ajo i ka fituar të dhjetë vendet parlamentare, të rezervuara për komunitetin serb.
Me Kushtetutën e Kosovës, një pozitë ministrore në Qeverinë e Kosovës i është rezervuar komunitetit serb, ndërsa një tjetër komuniteteve tjera minoritare joserbe. E, nëse Qeveria e Kosovës përbëhet nga më shumë se dymbëdhjetë ministri, atëherë emërohet edhe një ministër tjetër nga radhët e komuniteteve joshumicë.
Përzgjedhja e këtyre ministrave bëhet në konsultim me partitë parlamentare dhe nëse dikush emërohet prej partive që nuk kanë hyrë në Kuvend, atëherë është i nevojshëm miratimi zyrtar nga shumica e deputetëve të komunitetit, nga i cili është emëruar ministri.
Bazuar në këtë nen të Kushtetutës, Cakolli thotë se një qeveri pa Listën Serbe – nëse konfirmohen rezultatet e tanishme preliminare – sigurisht që do të ishte legjitime në aspektin juridik, por se konsultime do të duhej të bëheshin me të gjitha partitë parlamentare, përfshirë Listën Serbe.
Nga ana tjeter, politologu serb, Ognjen Gogiq, beson se Lista Serbe nuk dëshiron të jetë pjesë e Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti dhe sipas tij, ajo ka luftuar për te marrë të dhjetë ulëset e garantuara në Kuvendin e Kosovës vetëm që të mund t’i bllokonte disa procese.

